Deputetët socialistë kanë prezantuar një koncept-ide për Dokumentin Analitik, i cili do të hartohet më pas nga ekspertët e nivelit të lartë, gjatë mbledhjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin. Materiali ishte një draft-pune apo një projekt orientues pasi në vijim dokumenti final i takon grupit të ekspertëve. Produktet e punës së tyre më tej do t’i nënshtrohen debatit publik në tryezat e ndryshme që do të zhvillohen. Ky moment është fillimi për fazën e parë të objektit të punës së këtij komisioni: përgatitjen e analizës.
Sa i përket antikorrupsionit si një nga shtyllat kryesore, 5 komponentët e identifikuar janë; Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit politik; Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit në sektorët më risk më të lartë; Eficenca e institucioneve që luftojnë korrupsionin; Parandalimin e flukseve të paligjshme financiare me ndërhyrje keqdashëse; Përfshirja e të gjithë aktorëve dhe vetë shoqërisë. Deputeti Erion Braçe duke iu referuar edhe raportit të DASH tha se aty vlerësohet përparimi i bërë në atë që njihet si “korrupsioni i vogël” falë përdorimit të teknologjisë, por dobësia jonë e ku duhet të thellohemi është ajo që konsiderohet si korrupsioni i madh, korrupsioni politik.
“Nga ky korrupsion impaktohet edhe demokracia edhe ekomonia e të ndërthurura bashkë e gjithë shoqëria, pikërisht për këtë arsye ne jemi fokusuar te këto shtylla dhe nuk e kemi nisur kot apo për shkak të hierarkisë vendimarrëse në korrupsionin politik. Sepse mendojmë që atje duhet adresuar problemi, te partitë politike dhe te trupat që krijohen nga zgjedhjet e njerëzve. Trupat politike brenda partive, trupat politike që krijohen brenda institucioneve të rëndësishme kushtetuese të shtetit siç janë Kuvendi, Qeveria e duke zbritur më pas në nivel administrativ”, tha Braçe duke propozuar këtu kontrollin e figurës.
“Deri tani ka qenë fakultative në vullnetin e partive politike, tani duam ta bëjmë të detyrueshme kontrollin e figurës sepse duam që këto trupa t’i ruajmë fort qoftë kapjes në nivelin kombëtar qoftë kapjes në nivelin ndërkombëtar. Vihet në evidencë që ndërhyrjet e huaja synimin kryesor kanë kapjen e elitave politike. Thënë këtë i kemi kushtuar një vëmendje mjaft të rëndësishme pikërisht këtij fakti, kontrollit të figurës e në krahun tjetër pastaj edhe proceseve që burojnë nga këto trupa. Shembull është Kuvendi i cili duhet mbrojtur pa më të voglin diskutim në procesin ligjvënës nga klientelizmi, korrupsioni dhe kapja. Ashtu siç edhe në procesin e kontrollit parlamentar duhet ruajtur fort nga këto fenomene”, tha Braçe.
Një tjetër pikë kyçe në luftën kundër korrupsionit sipas deputetit Braçe është përkohshmëria në detyrë.
“Kemi një problem shumë të madh sa i përket kënetëzimit të nivelit politik të drejtimit të administratës. Që do të thotë kemi vendosje dhe qëndrim nëpër detyra politike në administratë që shkojnë përtej afateve logjike ose që përshtaten me afate që i shkojnë përshtat korruptimit të zyrtarëve. Çfarë kemi menduar në këtë pikë? Duam të nxisim përkohshmërinë e drejtuesve politikë në të gjithë nivelin politik të drejtimit të shtetit. Nuk mundet që një drejtues të shkojë 6-7-8 apo 9 vjet. Dhe imagjinoni, ai drejtues është i pazgjedhur, nuk i nënshtrohet kontrollit dhe gjykimit me votë, por thjesht një emërimi politik që vjen nga një tjetër zyrtar politik. Pikërisht për këtë arsye duam përkohshmëri të qënies së tyre në detyrë, në funksionin politik që mbajnë. Këtu kam parasysh që të përfshijmë gjithçka, edhe ata që merren me korrupsionin e vogël e që buron nga një pushtet politik që shpesh kthehet në abuziv edhe ata që merren me korrupsionin e madh në këtë aspekt”, deklaroi Braçe.
Sa i përket mirëqeverisjes, deputetja Milva Ekonomi tha se do të fokusohet në 5 drejtime kryesore.
“Qëllimi i përgjithshëm do të jetë që përafrimi drejt Acquis të jetë një proces i monitoruar, duke zbatuar si vlerësimin e ndikimit rregullator, por edhe gjithëpërfshirjen e grupeve të interesit. Administrata publike duhet të jetë e aftë të ndjekë ndryshimet që vijnë si rezultat i zbatimit të direktivave, ndaj duhet të përpiqemi për të krijuar klasën e ekspertëve sipas fushave teknike. Kuvendi duhet të rrisë rolin mbikëqyrës kundrejt insitucioneve të pavarura duke pasur në vëmendje qeverisjen dhe qytetarët, por edhe performanën e monitoruar të qeverisë”, tha Ekonomi.
Deputetja Evis Kushi përmendi dixhitalizimin e shërbimeve si një histori suksesi.
“Sfida jonë për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve digjitale dhe garantimin e tyre është sfidë globale, ku Shqipëria nuk duhet të jetë e vetme por pjesë e rrjeteve, zhvillimeve të teknologjisë, kërkimeve shkencore, etj. Prandaj për vizionin tonë 2030 duhet të hartojmë një strategji më të qartë si të çojmë përpara investimet me më shumë efektivitet dhe qëndrueshmëri, si ta orientojmë kërkimin dhe inovacionin në këtë drejtim, si të shfrytëzojmë në maksimum potencialin e inteligjencës artificiale, si të rrisim kapacitetet e administratës publike etj”, tha Kushi.
Deputeti Eduard Shalsi tha se Kuvendi do duhet të kalojë në një nivel të ri në mënyrë që t’i përgjigjet procesit të integrimit, por dhe thellimit të reformave.
“Është e nevojshme që edhe shërbimet mbështetese, teknologjia e informacionit të jenë në lartësinë e duhur. Doja ta riktheksoja edhe njëherë se nuk i përgjigjemi dot këtyre sfidave nëse nuk japim shembullin e një procesi përmirësimi brenda vetes tonë. Kemi nisur procesin e reformimit, ristrukturimit të rolit të mbështetjes nga brenda Kuvendit. Do duhet të provojmë që kapacitetet, burimet njerëzore, struktura e parlamentit, bëjnë të mundur që roli ynë është ai që përcakton Kushtetua dhe presin njerëzit”, tha Shalsi.
Në këtë fushë, deputetja Klotilda Bushka Ferhati tha se është e rëndësishme analiza për tre komponentë të cilët konsiderohen thelbësore nga raportet ndërkombëtare (Progres Raportet e BE, Këshilli i Europës, Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit, Departamenti Amerikan i Shtetit etj), si edhe ato vendase, kryesisht nga shoqëria civile.
“Tre komponentët për t’u analizuar janë: Funksioni ligjvënës, monitorues dhe koordinues i Kuvendit të Shqipërisë; Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut; Konsolidimi i Reformës në Drejtësi, me fokus tek pavarësia dhe paanësia e sistemit, llogaridhënia, cilësia e drejtësisë, efiçenca në drejtësi, aksesi në shërbimet e sistemit të drejtësisë, mirëqeverisja dhe transparenca. Për këtë komponent të fundit, analiza sipas metodologjisë së komisionit të posaçëm duhet të kryhet së bashku me përfaqësuesit e vetë institucioneve të drejtësisë për fushën e përgjegjësisë që mbulojnë respektivisht. Konsultimi me misionet e asistencës ndërkombëtare që monitorojnë, ndihmojnë dhe mbështesin sistemin tonë të drejtësisë, është i domosdoshëm për këtë komponent”, tha Bushka Ferhati.
Deputeti Toni Gogu duke folur adresimimin e problemit të kërcënimit të të drejtave të njeriut, tha se “Komisioni do të forcojë një sërë mekanzimash të mbrojtjes së të drejtave themelore si të e drejta e pronës, ku mirëfunksionimi dhe modernizimi i ASHK duhet të avancojë ndjeshëm regjistrimin e parë të pasurive të paluajtshme; forcimin e vendimarrjes së Autoritetit të së Drejtës së Informacionit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale; forcimin e institucioneve të pavarura dhe hartimi i një programi kombëtar të edukimit ligjor, sidomos në nivelin parashkollor dhe parauniversitar”.