Vajza e Ilir Beqjes, xhiro ditore në biznesin e saj; sa rroga vjetore e Presidentit të SHBA!

Me syrin kokërr, edhe këtej, më shumë se vjedhja e zyrtarëve, na tremb trimëria e vajzës së ministrit… Na u duk çudi, se si komikët e fshatit tonë Ermal Mamaqi e Bes Kallaku kanë pasuri marramendëse me prapavijë kriminale.

Krimi dhe pushteti janë unaza unike e qeverisë Rama.

Pa hetim fare, pa syze në sy, SPAK ka zbuluar dhjetëra milion euro në bizneset e këtyre dy bejtexhinjve.

Në moment, më erdhi të kërkoj në Google: Cila është pasuria e Princ Filipit në kohën kur ai vdiq?

Përgjigja më erdhi nga “FBI”-ja e gjigantit të informacionit:

Në kohën kur ai vdiq, pasuria totale e Princit Philip ishte afër 30 milionë dollarë, sipas Celebrity Net Worth.

Meqë u hutova pak, thashë, pse mos t’i rikthejmë kujtesën edhe SPAK-ut dhe FBI-së sonë, se u bëmë gazi i Botës?!

Ndërrimi i jetës së Lartmadhërisë së Tij Mbretërore, Princit Philip, Dukës së Edinburgut, në moshën 99 vjeçare, zgjoi interesin e pasurive që la pas.

Si burri i Mbretëreshës, ai kishte të ardhura vjetore nga Granti Sovran prej rreth 500,000 dollarë, por kur u largua nga jeta, la pasuri më pak se një fëmijë ministri në Shqipëri.

Pra me milionerët bejtexhinj paska të drejtë SPAK-u që nuk merret fare, pasi janë “fukarenj” para bashkëshortëve, fëmijëve, vëllezërve, motrave, dhëndurëve e kunetërve të qeveritarëve dhe politikanëve tanë.

Qeveritarët dhe politikanët, SPAK-u nuk i ngacmon, por njërit që e lëshoi Edi Rama si parashutë për të ngadalësuar shpejtësinë e vet drejt burgut, sapo ra në fushë të Altin Dumanit, fshatarët i dolën me fushqeta nga gropat e zjarrit dhe me qirinj në duar, nisën t’i numërojnë milionat e dollarëve.

Në orët e para, lajmet janë të frikshme.

Gruaja e Ilir Beqjes, dhëndri e VIP-a të tjerë, kanë vjedhur edhe BE-në.

Vetë Beqja, ka grabitur edhe të vdekurit, ka futur me kokë në thes edhe kryeministrin e diplomatë që nuk ndihen janë të gjallë a të vdekur, ka urdhëruar SPAK-un dhe mediat e mafies, të hetojnë vetëm këto pjatancat e restorantit “Gzona”, por kurrsesi koncensionet e shëndetësisë, ku është gropa e madhe që përpin edhe vetë Bablokun.

Nëse e kalojmë një rresht, pa folur edhe për fëmijët e tjerë të zyrtarëve të lartë, nuk u bë nami, e marrim veten nesër. Edhe pse Presidenti Joe Biden harron ca rreshta e vetëm të qeshura shkakton. Frika s’ka fytyrë sot.

Me syrin kokërr, edhe këtej, më shumë se vjedhja e zyrtarëve, na tremb trimëria e vajzës së ministrit.

Një fëmijë pa emër, pa profesion e përvojë, me dy prind me rroga anemike për kohën, menaxhon biznes me xhiro ditore sa rroga vjetore e Presidentit të SHBA-ve.

Dy fatura fiktive në një ditë, pra mbi 250 000 euro, siç deklaron SPAK-u, nuk janë as gjysma e një xhiroje ditore.

Në asnjë shkallë nuk po shkretojmë rininë tonë, t’u themi, pse jeni gjeni e fitoni kaq shumë?!

Pas ca shumëzimeve, ku Presidenti amerikan ka pagë 400 000 dollarë në vit e vajza e Ilir Beqjes kaq i bën xhiro në një ditë në biznesin e saj, na bëjnë xixa jo vetëm sytë, por edhe llogaritë.

Bilanci prej budallai, nuk na baraspeshon asgjë me realitetin e kohës, as me kohën që drejtësia apo diplomacia nuk dalin të tregojnë se ç’është kjo magji, që vajza e ministrit, bën xhiro ditore në biznesin e saj, sa rroga vjetore e Presidentit të SHBA!

Shkruar nga Sokol Pepushaj