Vjedhja e madhe në Thumanë-Kashar/ “Gener 2” rrit tarifën dhe “pjek” qytetarët në mes të vapës, dështon kalimi me pagesë

Fillimisht u tha se tarifa do të jetë 2.1 euro, por shumë qytetarë u shprehën se u ishin mbajtur 270 lekë… Dështon eksperimenti me autostradën e re Thumanë-Kashar. Aksi u inaugurua me shpejtësi nga kryeministri Rama dhe ndryshe nga sa ndodhi me tunelin e Llogarasë, këtu u vendos me shpejtësi tarifa. Sot nisi për herë të parë aplikimi i tarifës, por sistemi u fut në kaos.

INë sportele kishte shumë vonesa dhe kjo bëri që të krijohej trafik kilometrik në autostradë.

Qytetarët u përballën me një situatë të papritur, edhe sa i takon tarifës që duhet të paguanin. Fillimisht u tha se tarifa do të jetë 2.1 euro, por shumë qytetarë u shprehën se u ishin mbajtur 270 lekë. Po ashtu kishte të tjerë që ankoheshin se pagesën e bënin në euro dhe kusuri u kthehej në lekë.

Vjedhja e madhe në Thumanë-Kashar/ "Gener 2" rrit

Edhe në pamje duket se thuajse gjysma e autrostradës u përfshi nga trafiku. Shumë qytetarë po “piqeshin” në diell për shkak të stafit të patrajnuar në sportele, të cilët vononin jashtëzakonisht shumë në kalimin e makinave. Më pas, kompania “Gener 2” e Bashkim Ulajt u detyrua që të ngrejë trarin dhe të lejojë kalimin e makinave pa tarifë. Nuk dihet ende se pse ndodhi kjo situatë, e kishte fajin sistemi, stafi apo fluksi ka dalë nga parashikimi.

Vetë kompania ka bërë me dije se sot ishte një test i përkohshëm në sistemin e toll-eve. Ndonëse për ta cilësohet si sukses, në fakt situata ishte kaotike. Megjithatë, “Gener 2” shprehet se autostrada do të vijojë të jetë pa pagesë edhe për një periudhë tjetër kohe, deri sa sistemet të jenë në funksion të plotë. Nuk e dimë si do të vijojë situata, por sinjalet janë se qytetarët po rripen financiarisht dhe po “piqen” në mes të vapës.

SKANDALI

Ndërsa tarifa e vendosur nga Qeveria është 2.1 euro, konçensionari i tarifon drejtuesit e mjeteve me 270 lekë, ose referuar kursit të këmbimit valutor 2.7 euro (nëse do rrumbullakosim vlerën e euro në kuotën 100 lekë).

Por në anën një njoftim nga Ministria e Infrastrukturës e bën edhe më të ngatërruar situatën. Kjo ministri njofton se sistemi i pagesës për aksin rrugor Thumanë – Kashar do të nisë zyrtarisht në ditët në vazhdim, por publiku do të njoftohet paraprakisht për datën dhe orarin e fillimit të pagesës.

Atëherë pyetja që lind është: kush po e mbledh taksën 270 lekë, e cila shkon në xhepin e konçensionarit.

Në vijim të sqarimit, deri në nisjen e këtij procesi, kompania do të kryejë në segmente të ndryshme kohore, testime të kufizuara të sistemit të pagesës, për të kolauduar sistemin dhe aftësinë përpunuese të stafit. Lidhur me orarin e këtyre testimeve publiku do të njoftohet 24 orë më përpara.

Pagesa për kalimin në këtë aks do të jetë 2.1 euro pa TVSH, ose ekuivalenca e saj në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në datën e fillimit të operimit të sistemit të pagesës.