Edhe bashkëpunëtori i Beqajt bëhet “gjeni” kërkon të lirohet me para, Ermal Kurtulaj: Kam shitur një Audi Q7, mund ta vendos shumën si garanci për të dalë

Bashkëpunëtori i ish-Ministrit të Shëndetësisë Ermal Kurtulaj ka tentuar që të negociojë një garanci pasurore, në mënyrë që të dalë nga masa e sigurisë arrest me burg. Para trupës gjykuese në GJKKO, Kurtulaj është shprehur se sapo ka shitur një makinë të tipit ‘Audi Q7’ dhe shumën e parave mund ta vendos si garanci pasurore, për tu lënë i lirë.

“Sapo kam shitur “Audin Q7″, mund ta vendos shumën e parave si garanci pasurore,” tha Kurtulaj.

Para pak ditësh, veç Beqajt u arrestuan dhe Ermal Kurtulaj, krahu i tij i djathtë dhe Alfred Nikolla. Beqaj u arrestua lidhur me shpërdorimin e fondeve të BE-së, përmes agjencisë SASPAC, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte, edhe pse më parë ndaj tij, SPAK kishte nisur hetimet lidhur me koncesionet në shëndetësi. Përmes një deklarate, SPAK sqaroi se nga hetimet rezultoi se kur drejtonte Agjencinë SASPAC, ka ngritur skemë përfitimi me fatura dhe procedura prokurimi fiktive, duke zhvatur fondet e BE (Programi IPA II).

Sipas Prokurorisë së Posaçme, fondet për aktivitetet e agjencisë SASPAC shkonin te fituesit e paracaktuar sipas urdhrave dhe direktivave që jepte Beqaj. Në funksion të kësaj skeme, thotë SPAK, Beqaj ka bashkëpunuar me Ermal Kurtulaj, financieri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij. Restoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës, sipas SPAK, ndonëse ka për administrator një person tjetër, është pronë e fshehur e Beqajt. SPAK thekson se Beqaj ka investuar te restorant “Gzona” prej vitit 2019 shumat 21 411 euro dhe 4 666 110 lekë të reja për blerjen e pajisjeve dhe 34 783 euro si shpenzime qiraje.