I dhuroi tokë Arqile Bollanos, SPAK kërkon arrestim të dytë për Goron

Rëndohet pozita penale e ish-kryetarit të bashkisë Himarë Jorgo Goro, pasi prej disa ditësh prokuroria e posaçme SPAK, mësohet t’i jetë drejtuar gjykatës, me një kërkesë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, për ish-zyrtarin e PS.

Hetimi i nisur fillimisht nga prokurori i Vlorës, Arjan Xhaferaj, por i transferuar një muaj më parë në Tiranë, duket se tashmë po finalizohet nga prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, i cili mësohet t’i jetë drejtuar gjykatës së posaçme me një kërkesë për sekuestrimin e një sipërfaqe toke në Himarë, që është përfituar në mënyrë të parregullt dhe caktimin e masës së “arrestit në burg” për ish-kryebashkiakun, Jorgo Goro.

ORA NEWS ka mësuar se bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 4900 metra katrorë, e ndodhur në zonën e Livadhit në Himarë, e cila është përfituar në mënyrë të padrejtë nga Arqile Bollano, aktualisht kryetar i komanduar nga PS në Bashkinë e Himarës.

Hetimet e SPAK janë përqëndruar dhe tek përfituesi i këtyre dy pasurive Arqile Bollano dhe një person tjetër që kanë qenë pjesë e grupit të punës, të cilët ndërtuan listën emërore të personave që fituan tokë në mënyrë të padrejtë në Himarë.

Me këto ritme që po ecën hetimi, ka gjasa që Bashkia e Himarës të mbetet sërisht pa kryetar.