Djali i të ndjerit Pal Trashaj, që vrau veten dje duke u helmuar përpara godinës së SPAK, ka treguar sot për mediat kaluarin e mundimshëm të babait të tij me gjykatat, që ka filluar që nga viti 2008 e deri më sot pa zgjidhje. Ky kalvar ka kulmuar me bllokim të pasurisë së familjes Trashaj në Lezhë, shtëpinë, makinën etj.
“Kam ardhur shumë vonë, në orën 11 e gjysmë të natës nga aeroporti, – tha i biri. “Mami dhe pjesëtarë të tjerë të familjes më kanë thënë që fliste. E kanë takuar dhe madje xhaxhai i ka thënë “çfarë bëre?!”
Se ka qenë një peshë shumë-shumë e rëndë në kuptimin psikologjik dhe ka thënë që ndodhi kjo, padrejtësia, padrejtësia…
Për takimin dje në SPAK, realisht nuk kisha dijeni, po di që herë pas here ai ka qenë në kontakt me SPAK-un, Prokurorinë speciale. Nuk e di saktë se si ka vazhduar procedura. Babai është munduar gjatë gjithë kohës të na shmangë si familje, problemet që ka pasur, problemet me një bankë… Nuk mund të spekuloj për gjëra që nuk saktë nuk i di.
Pyetje: Që i është marrë edhe banesa, makina…
Djali: Patjetër. Biles kujtoj dhe një rast, ka qenë një rast i tmerrshëm sepse shoqëria përmbarimore, normalisht me vendim gjykate dhe vendimi i gjykatës dihej se si ishte, sepse babi shqetësohej gjithmonë dhe thoshte “e fitoj shkallën e parë dhe pastaj humbas komplet në Gjykatën e Apelit.” E kupton?! Pra humbet. Shoqëria përmbarimore merr vendimin për ta ekzekutuar (kuptohet, komplet, ishte shoqëri përmbarimore që e kujton, në vitin 2014, në 2016 ka arritur deri në atë lloj limiti sa ka bllokuar edhe minimumin jetik. Mendo një moment, unë punoja, isha në administratë…
Konfiskimi ka qenë i pronës, i makinës. Më absurde nuk kishte ku të shkonte. Banesa ndodhet në fshatin Pllanë, rrethi i Lezhës. Ne aty jetojmë, di që për momentin nuk është e sekuestruar, informacionet i kam marrë në Hipotekë dhe nuk është e sekuestruar për momentin dhe babai po kërkonte drejtësi për padrejtësitë që i janë bërë në kalueshmëri. Kjo ka filluar më duket që në vitin 2008 dhe asokohe kam qenë më i vogël dhe nuk kisha informacione.
Dhe më shqetëson kjo gjë, te SPAK-u kam absolutisht drejtësi në sensin e asaj pse është krijuar por ajo që më shqetëson më shumë është fakti se normalisht SPAK-u duhet t’i verifikojë vendimet e gjykatave duke filluar nga gjykata e Lezhës, Shkodrës, Tiranës. tani do të marr një avokat dhe çështja do të ndiqet më gjatë.
Humbja është katastrofave, të humbësh prindin është … nuk e di në ka fjalë tjetër!”