Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi ka folur për protestën kombëtare që do të zhvillojë opozita në datë 11 korrik përpara Kryeministrisë.
I ftuar në SYRI TV, Këlliçi ka theksuar se “lajtmotivi kryesor do të jetë kërkesa dhe ultimatumi për lirimin e kryetarit të PD-së, Prof. Dok. Sali Berishës.”
Sipas Këlliçit, krijimi i qeverisë teknike është një kërkesë e drejtë e opozitës, pasi Rama gjatë qeverisjes së tij 11-vjeçare ka treguar se e ka vrarë procesin zgjedhor, duke ia besuar bandave, krimit të organizuar dhe mafias kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Lajtmotivi kryesor duhet të jetë kërkesa dhe ultimatumi për lirimin e kryetarit të PD-së, Prof. Dok. Sali Berishës, i cili për 175 ditë vijon të mbetet pa fakte pa prova pa akuzë në arrest shtëpie, ndërkohë që nga të njëjtat organe të drejtësisë, hajdutët e kapur në flagrancë siç është rasti i Erion Veliajt me rastin e inceneratorit të Tiranës dhe 5D-së nuk i përmendet emri. Bashkë me kërkesën për lirimin e kryetarit të opozitës është edhe krijimi i qeverisë teknike. Nuk mundet që ne të shkojmë si opozitë, si PD, në një proces me një rezultat zgjedhor të paracaktuar.
E kemi parë Edi Ramën i cili në 11 vite si kryeministër ka menaxhuar të paktën 4 palë zgjedhje dhe në të gjitha këto zgjedhje ka futur duart në zgjedhje, ka vjedhur zgjedhjet, ka deformuar procesin dhe fenomeni i shit-blerjes së votës, trendi ka qënë çdo herë në rritje. Të gjithë procesin zgjedhor ia ka besuar bandave, ia ka besuar krimit të organizuar, mafias kombëtare dhe ndërkombëtare dhe procesi zgjedhor në Shqipëri është vrarë”, u shpreh Këlliçi.