Zyrtarë të sigurisë kibernetike thonë se ekzistojnë me mijëra llogari në mediat sociale që ofrojnë karta vaksinimi. Siç njofton korrespondentja e Zëri të Amerikës, Lesia Bakalets, ato madje premtojnë t’i fusin të dhënat edhe në regjistrin elektronik të vaksinimeve.
Shumica e amerikanëve vërtetojnë se janë vaksinuar duke treguar një karton të vogël. Aty shkruhet emri i plotë i personit, lloji i vaksinës, numri i dozave dhe seria e tyre.
Karta e vaksinimit u projektua si mjet informimi dhe jo për të shmangur mashtrimin, thotë Departamenti amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.
“Karta u konceptua si një mjet komunikimi mes ofruesve të shërbimit mjekësor dhe pacientëve, për të treguar se janë të vaksinuar. Ndoshta edhe për të shërbyer si një kujtesë për marrjen e dozës së dytë”, thotë Isaac Bledsoe, nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.
Por, ky karton po përdoret gjerësisht në Amerikë si formë vërtetimi për vaksinimin. Ndërsa gjithnjë e më shumë kompani po kërkojnë prova vaksinimi, zyrtarët thonë se po përdoren edhe më shumë karta false vaksinimi.
“Nga 5-6 ankesa në ditë në fillim të vitit 2021, tashmë marrim rreth 20-25 ankesa në ditë nëpërmjet linjës së dedikuar për informimin për kartat false të vaksinimit”, thotë zoti Bledsoe.
Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se faqet në internet ku ofrohen karta false vaksinimi janë zhvendosur nga zonat ilegale të internetit drejt faqeve më të përdorura nga publiku.
“Situata është e përkeqësuar. Po përdorin Facebook-un, Instagram-in, Telegram-in dhe Whatsapp-in për të nxjerrë në treg dhe promovuar këto karta”, thotë Eric Feinberg, nga Koalicioni për një Internet më të Sigurtë.
Në disa grupe online, kartat false të vaksinimit ofrohen haptazi dhe madje klientët e kënaqur publikojnë fotografitë e tyre me kartat false. Ekspertët nga Koalicioni për një Internet më të Sigurtë e provuan edhe vetë. Falsifikatorët u përgjigjën me shpejtësi duke garantuar dërgimin në adresa në mbarë Shtetet e Bashkuara.
Ekspertët në kompaninë e sigurisë kibernetike “Check Point Software Technologies” thonë se shitjet u rritën në mënyrë dramatike pas urdhërit të qeverisë për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve federalë.
“Numri i shitësve të kartave false të vaksinimit u rrit gati dhjetëfish. Kishim pra rreth 1 mijë shitës në gusht, dhe pas njoftimit (të urdhërit) në shtator u rrit në 10 mijë”, thotë Brian Linder, nga kompania Check Point Software Technologies.
Specialistët e sigurisë kibernetike thonë se një zgjidhje e mundshme do të ishte krijimi i një regjistri federal të unifikuar të vaksinimit, si dhe kartat dixhitale që do të vërtetonin statusin e vaksinimit – diçka që disa vende evropiane e kanë bërë tashmë. /VOA/