Shpërndanin kokainë, si u kapën “mat” 4 shqiptarët në Itali

Policia italiane ka zhvilluar një operacion anti-drogë në dy lagje të Viçenzës, duke bërë të mundur arrestimin e katër shqiptarëve, të cilët u kapën me drogë.

Mediat italiane bëjnë me dije se policia ka sekuestruar mbi 1.5 kilogramë kokainë të pastër, me vlerë tregu mbi 100 mijë euro.

Së bashku me katër shqiptarët, identitetet e të cilëve nuk janë bërë të ditur, në prangat e policisë ka përfunduar edhe një vajzë italiane.

Kanë qenë banorët e zonës të cilët kishin sinjalizuar dhe vënë në lëvizje forcat e policisë pas raportimeve të tyre për lëvizje të dyshimta gjatë gjithë ditës dhe natës në dy lagjet që ndodheshin pranë disa pallateve.

Forcat e policisë fillimisht kryen një bastisje në një apartament në zonën e Pomarit, ku gjetën dhe sekuestruan një sasi kokaine më shumë se 1 kilogram, të fshehur brenda një lavatriçeje dhe një sasi tjetër kokaine, e cila ishte e ndarë në doza dhe ndodhej e shpërndarë nëpër dhomë.

Më pas, policia ushtroi një kontroll në një banesë në zonën e Astichellos, ku u gjetën dhe sekuestruan edhe 60 gramë të tjera kokaine, peshore precize dhe 500 euro cash.