Zyrtare, UEFA merr vendimin e rëndë për Mirlind Dakun, e dënon me dy ndeshje

Pas një hetimi të hapur në lidhje me incidentet që ndodhën para dhe pas ndeshjes me Kroacinë, UEFA tashmë ka marrë vendimin e saj në lidhje me Mirlind Dakun.

Shtëpia më e madhe e futbollit evropian ka vendosur që futbollistin shqiptar ta dënojë me dy ndeshje mungesë.

Si rezultat i këtij dënimi Daku tani nuk do të ketë të drejtë loje ndaj Spanjës si dhe do të mungonte në raundin tjetër në rast kualifikimi të Shqipërisë.

Ky dënim për Dakun vjen pasi ai kishte përdorur fjalë fyese ndaj maqedonasve dhe serbëve me të përfunduar ndeshja me Kroacinë.

Më herët gjatë ditës Shqipërisë iu shqiptua një tjetër dënim nga UEFA, pasi për shkak të ndezjeve të fishekzjarreve, pushtimit të fushës nga tifozët dhe transmetimin e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, ata u dënuan me një gjobë prej 47,500 euro.

Shqipëria nesër (e hënë) do ta luajë ndeshjen ndaj Spanjës e cila është përcaktuese për fatin e saj në Kampionatin Evropian.

UEFA hapi hetim ndaj Mirlind Dakut për “sjelljen e supozuar të papërshtatshme”, pas ndeshjes me Kroacinë.

Supozohet se Mirlind Daku mori altoparlantin pas ndeshjes dhe drejtoi fjalë të papërshtatshme drejt serbëve dhe maqedonasve.

Sulmuesi ka reaguar sot, duke kërkuar falje nëse ka ofenduar dikë, duke shtuar se këto gjëra ndodhin dhe se e ndjeu obligim moral dhe profesional të kërkonte falje.

“Përshëndetje të gjithëve! Së pari dua të jem falenderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024. Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi””.

“Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona. Falja është burrërore, dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar. Me respekt, Mirlind Daku”, shkroi sulmuesi kuqezi pas ndeshjes.