Ish-ministri Damian Gjiknuri mohon para SPAK të ketë përfituar nga bosët e inceneratorëve Mirel Mërtiri e Klodian Zoto apo të ketë udhëtuar me ta, por pranon se ka qenë në shoqërinë e tyre me ftesë të ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj.
News 24 zbardh dëshminë e ish-ministrit Gjiknuri, që ka dhënë disa muaj më parë në kuadër të hetimit ndaj ish-zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj, pasi rezultoi në udhëtime me bosët e inceneratorëve. Në lidhje me një udhëtim në Vjenë ku rezultoi se Klodian Zoto kishte prenotuar dhomën e hotelit në emër të Gjiknurit, ish-ministri thotë se shpenzimet janë paguar nga Ministria.
“Kemi qenë në një delegacion për negociatat e CEZ, ishin në Arbitrazh, për zgjidhje me pajtim. Unë në Vjenë kam qëndruar në hotel Ambasador, një natë bashkë me pjesëtarë të tjerë të delegacionit, kurse Arben Ahmetaj ndjenjti në një hotel tjetër. Arben Ahmetaj më ka thënë nëse desha dhe unë të vija te hoteli ku qëndronte ai, konkertisht të hotel Radisson, pasi ishte më një shok. Unë nuk pranova pasi ndërkohë e kisha dhomën të prenotuar tek hoteli që thashë më lart. Në darkë jemi takuar, kemi dalë dhe kemi pirë ndonjë gotë. Kemi qenë unë, Arben Ahmetaj dhe Mirel Mërtiri dhe një i huaj”, mësohet të jetë shprehur ai.