Nga videot “TikTok” te lirimi i të “fortit”, Enkeleda Kapedani me 150 faqe material para vetingut


Gjyqtarja e Elbasanit Enkeleda Kapedani, e njohur gjerësisht në opinionin publik për videot e saj në “TikTok” duke bërë paradë mode në zyrë, u përball dje në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

E pezulluar nga detyra për shkak të videove teksa ndaj saj ka nisur një hetim disiplinor nga ana e ILD-së, Kapedani po hetohet në kriterin e pasurisë. Gjatë seancës, ku Kapedani mbrohet vetë, ajo tha se kishte përgatitur një material prej 150 faqesh.

“Ky është ditari i jetës sime dhe kërkoj kohën e mjaftueshme të relatoj”, tha ajo.

Anëtarët e KPK-së u ndalën gjatë te transaksionet financiare të bashkëjetuesit të gjyqtares në lidhje me blerjen e një kamioni prej 950 mijë lekësh në vitin 2016 dhe shtijën pak muaj më vonë me 32 mijë euro.

Në fillim të vitit pasardhës, bashkëjetuesi i gjyqtares ka nënshkruar një kontratë huadhënie, shumë për të cilën Kapedani tha se burim ka qenë pikërisht shitja e kamionit. Gjithashtu, gjatë seancës, gjyqtarja tha se në periudhën 2014-2015 vëllai i saj emigrant i kishte dërguar familjes rreth 6800 euro.

Në fund të relatimit të saj për profesionalizmin, relatorja Brunilda Bekteshi u ndal edhe te videot e gjyqtares, për të cilat nuk është konstatuar ndonjë kontakt i papërshtatshëm.

Vetë gjyqtarja tha se për këtë çështje nuk mund të vendoste KPK-ja pasi ishte kompetencë e KLGJsë.

“Nga viti 2017 e në vijim është kompetencë e KLGJ-së”, tha ajo.

Në rastin e videove, ajo tha se ato ishin një sulm nga ata që nuk e përdornin dot si notere të vendimeve të tyre.

“Është një gjyq popullor me pasoja shumë të rënda për personin tim”, u shpreh gjithashtu.

Gjyqtarja u ndal edhe te lirimi i Viktor Ymerit, aktualisht i arrestuar për atentatin ndaj Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.

“Dua t’ju sqaroj njëherë e mirë, duke qenë se kjo çështje po më përndjek. S’kam liruar asnjë të dënuar të përjetshëm. Këtij shtetasi ia ka ndryshuar dënimin e përjetshëm Gjykata e Apelit të Durrësit, që ia ktheu në 25 vjet burgim. Kur i kishte mbetur dënim për 1 muaj e 23 ditë, çfarë fitimi do të kishte?”, sqaroi ajo.