Emisioni Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës punësimet fiktive në Njësinë Administrative Luz i Vogël në Bashkinë Kavajë. Një topograf, gjatë orarit zyrtar të punës në shtet, punon berber në Tiranë. Ndërkohë, një punonjës i tatim-taksave dhe një hidraulik, të dy 20 vjeçarë, janë studentë me kohë të plotë në Tiranë. Emërimet janë të vitit të fundit.
Topografi quhet Limon Ajdini dhe është punonjës në këtë Njësi Administrative. Z. Ajdini ka pasur disa detyra në këtë Njësi. Fillimisht te Urbanistika, më pas te Marrëdhëniet me Publikun dhe së fundmi topograf. Mesditën e datës 8 prill 2024, rreth orës 12.00, gazetarët e Fiks Fare shkuan te zona e “Selvisë” në Tiranë, ku ka biznesin z. Limon Ajdini. Kamera e Fiksit kap gjatë punës si berber topografin. Nuk po bënte matje topografike në Luz, por po i shërben gazetarit të Fiksit gjatë orarit zyrtar të punës në shtet si berber.
Në datën 17 prill, rreth orës 13.00, Fiksi shkon te Njësia në Luz dhe kërkon z. Limon Ajdini. Gazetarët bisedojnë me policin e Njësisë, i cili thotë se “nuk është në punë”. Ai thotë se “po kërkoni berberin, të mos ngatërrohem”. Të gjithë kanë dijeni për emërimet fiktive.
Më datë 15 maj, në orën 12.00, gazetarët e Fiksit shkojnë sërish te zona e Selvisë në Tiranë, ku e gjen z. Ajdini duke punuar berber. Madje, ai i thotë gazetarit se “paradite bën kurs berberi dhe pas orës 12 punon në sallon”.
Ndërkohë, dy punonjësit e tjerë quhen Leo Lusha dhe Egland Beu, të dy student në Tiranë por me punë shteti në Luz të Vogël në Kavajë. Të dy janë nga 20 vjeç dhe janë emëruar fiktivisht disa muaj më parë në Njësinë Administrative Luz i Vogël në Kavajë. Leo është emëruar hidraulik dhe Eglandi si punonjës i Tatim-Taksave.
Disa ditë më parë, Fiksi shkoi te Njësia Administrative, në orën 12:50, në ditë dhe orar pune, për të pyetur nëse janë në punë punonjësit Limon Ajdini dhe dy studentët Leo Lusha dhe Egland Beu. Një punonjëse pohon se administratori nuk është dhe duhet të linin një kërkesë me shkrim. Gazetarët kërkojnë administratorin dhe ai i thotë punonjëses se “jam në mbledhje në Bashkinë Kavajë”. Fiksi e pyet për të tre punonjësit, nëse janë aktualisht në punë dhe ku, për t’i filmuar ku po punojnë.
Punonjësja komunikon sërish me Administratorin dhe thotë se Limon Ajdini është topograf, Leo Lusha është hidraulik dhe Egland Beu është punonjës i tatim-taksave.
Gazetarët këmbëngulin që t’i filmojnë në vendin e punës. Pas shumë minutash, në orën 14.25 në Njësinë Administrative shkon Limon Ajdini, i cili thotë se ka qenë me punë në Kavajë dhe takoi një banor për një problem. Gazetarët i bëjnë me dije se Kavaja është afër dhe nuk duhen 1 orë e 30 minuta për të ardhur në Luz. Përgjigjet se s’ka makinë dhe ka ardhur me makina të rastit.
Gazetarët i tregojnë edhe datat kur e kanë filmuar duke punuar berber, apo e kanë kërkuar në këtë Njësi Administrative. Pohon se edhe mund të ketë ndodhur, por ka ikur kur ka pasur ditëlindjen dhe ndonjë punë tjetër.
Ndërkohë, rreth orës 15:00 punonjësja që qëndron në paradhomën e Administratorit të Njësisë Administrative u bën me dije gazetarëve se punonjësi Leo Lusha ndodhet në mes të fshatit Vorrozen, duke punuar dhe mund ta gjeni atje. Grupi i Fiksit shkon në Vorrozen dhe e gjen në qendër të fshatit. Gazetarët e pyesin se sa vjeç është, ndërsa fillimisht pohon se 22. Më pas tregon vitlindjen dhe në fund pranon se është 20 vjeç. Ai thotë se është student në Tiranë, në degën Administrim Biznesi te Ekonomiku. Gazetarët i thonë se jelekun e punës e ka të ri, të hekurosur dhe të pa bërë pis. “Jemi djem të rinj, e mbajmë veten nuk rrimë zhul” përgjigjet.
Fiksi shkon te Njësia dhe në atë vend shkon Leo. Gazetarët i kërkojnë punonjësit që t’i shohin duart, pasi duke qenë hidraulik punë e rëndë dhe të dëmtuara. Leo thotë se s’i ka të dëmtuara. Ndërkohë, deri në orën 16:00, grupi i Fiks Fare e priti Administratorin, por ai nuk pranoi të jepte informacione për punonjësit.
Njësia Administrative Luz i Vogël, Bashkia Kavajë
Gazetari – Administratorin donim pak!
Punonjësja – Ai është në Kavajë, në orën 12:00 ka qenë në mbledhje.
Gazetari – Na e lajmëron dot.
Punonjësja – Nëse mund ta di se për çfarë problematike?
Punonjësja – Në orën 13:10 fillon mbledhja, ai sa lëvizi.
Gazetari – Po shkojmë atje, e takojmë në Kavajë. Po është mirë këtu, thuaji, të të takojnë këtu. Sa është ora 13:00 fiks?
Gazetari – Vonohet shumë atje?
Punonjësja – Nuk e di sa do zgjasë mbledhja, se në orën 13:10 …
(Komunikon me mesazhe me Administratorin)
Gazetari – Hë ç’thotë, vazhdon shkëmbimi i mesazheve?
Punonjësja – Ai më thotë kështu që është në mbledhje dhe nuk e di sa vonon se në orën 13:00 fillon mbledhja. Mund ta lësh informacionin me shkresë për çfarë kërkohet?
Gazetari – Na lë një orë nesër vijmë nesër, ose sot do të presë kur të dalë?!
Punonjësja – (Vazhdon komunikimin me mesazhe) Insiston te e njëjta përgjigje me shkresë për çfarë ju duhet.
Gazetari – Kemi një listë me disa punonjës që nuk vijnë fare në punë.
Gazetari – E tani, ne informacionin e kemi vetëm na verifiko. Ja sot është ora 13.08 minuta, z. Limon Ajdini është aktualisht në punë?
Punonjësja – Ata janë punonjës terreni!
Gazetari – Ai punon ose te Marrëdhëniet me Publikun ose te Urbanistika?
Punonjësja – Jo, Marrëdhënie me Publikun …
Punonjësja – Po ka qenë Marrëdhënie me Publikun dhe ka kaluar në pozicion tjetër.
Gazetari – Ok. Është aktualisht në punë dhe ku është?
Punonjësja – Po se ku është e di Administratori …
Gazetari – Po prandaj po prisnim Administratorin. Merre në telefon Administratorin dhe vetëm ta verifikojmë. Është në Tiranë?
Punonjësja – (Vijon të shkëmbejë mesazhe)
Gazetari – Dhe çfarë detyre ka Limoni?
Punonjësja – Është specialist topograf.
Gazetari – Ka ardhur sot në mëngjes?
Gazetari – Në çfarë ore? Vjen përditë në punë?
Gazetari – Në Tiranë apo këtu?
Punonjësja – (Qesh) Përditë këtu te ne vjen, tani unë s’e di. Ai vjen paraqitet këtu në mëngjes, merr urdhër nga Administratori ku ka për të punuar …
Gazetari – Tani ne e kemi filmuar, thuaji Administratorit se edhe ti po bën telefonin e prishur. E kemi filmuar disa herë që ka një biznes në Tiranë. Ka një berberhane dhe punon gjatë gjithë kohës në atë berberhane. Tjetër, z. Eglant Beu çfarë detyre ka?
Punonjësja – Eglant Beu është te taksat.
Gazetari – Sa vjeç është Eglanti, e ka përfunduar shkollën?
Punonjësja – Nuk kam informacion.
Gazetari – Është në Tiranë apo është në punë në Kavajë, në Luz.
Punonjësja – Eglanti, nuk e di!
Gazetari – Leo Lusha është te mirëmbajtja, elektriçist.
Gazetari – Është në punë, janë në punë këta dy punonjës? Ma pyet …
Punonjësja – Me ardh nesër.
Gazetari – Jo se nesër do t’i sjelli ai se e di shumë mirë, po sot thuaji. Ora është 13:11 minuta në Kavajë thuaji Administratorit, meqënëse e donte me shkrim. Sot këta persona, Limon Ajdini, Eglant Betu dhe Leo Lusha janë aktualisht në punë dhe kur kanë ardhur për herë të fundit në punë? Kemi ndonjë përgjigje nga Administratori …
Punonjësja – Ëë do vini nesër!
Gazetari – Sot thuaj janë në punë, është ora thuaj 13:15, këta 3 punonjës janë sot në punë?
Punonjësja – Në dijeninë e Administratorit janë!
Gazetari – Ku janë se shkoj unë e i xhiroj nëse janë në punë?
Punonjësja – Për këtë më thotë që të vini nesër …
Gazetari – Sot, sot. Nëqoftëse janë aktualisht thuaji, se unë shkoj i xhiroj unë ku janë në punë. Ku janë në cilin vend? Eglanti duhet të jetë te taksat apo jo?
Gazetari – Është te taksat, tani sot këtu është?
Punonjësja – Tani ne si punonjës këtu kemi A.Çekën, kurse ai është punonjës terreni.
Gazetari – Po ku është në terren se shkoj unë?! Në cilin fshat?
Punonjësja – Po s’e di unë, unë s’i ndaj punonjësit ku shkojnë.
Gazetari – Leo ku është elektricist se shkoj unë e takoj? Në cilindo fshat, në cilindo vend! Leo Lusha … Dhe Limoni në cilin vend, në cilin fshat? Te berberhane në Tiranë apo te ndonjë fshat te Njësia Luz? Do i presim thuaji deri në orën 16:00 të gjithë këta punonjës. Është bërë topograf Limoni?
Gazetari – Limoni ka berberhane në Tiranë. Po Kryetarin e Bashkisë e dini që ka qenë berber? Kryetari aktual …
Punonjësi – Ka pas punuar më përpara.
Gazetari – A ka qenë berber?
Punonjësi – Po. Ka punuar po, tani ka kaluar kryetar.
Gazetari – Dhe Limoni është te kjo.
Punonjësi – Ka punuar më përpara. Sepse unë te ai (daja i kryetarit) qethem vetë, sepse unë jam prej Kavajë a kupton.
Gazetari – Te Limoni je qethur?
Njësia Administrative Luz i Vogël, Kavajë
Punonjësja – Në Vorrozen është Leo Lusha bashkë me punonjësin tjetër duke punuar për dritat. Ndërsa Eglanti ka dalë me punonjësit e bashkisë në terren …
Gazetari – Po ku është çfarë vendi?
Grupi i Fiks Fare shkon në fshatin Vorrozen
Gazetari – Ju të Njësisë jeni?
Gazetari – Ne të kërkuam 3 orë atje (te Njësia Administrative).
Punonjësi Leo Lusha – Kam qenë në terren.
Gazetari – Hajde një intervistë të shkurtër.
Punonjësi Leo Lusha – Po ik o vëlla, mos na nxirr?
Gazetari – Pse? Sa (vjeç) je?
Gazetari – Çfarë datëlindje?
Punonjësi Leo Lusha – 06.04.2004.
Punonjësi Leo Lusha – 2004 pra, 21 (vjeç).
Gazetari – Si 21 mo, tani ke mbushur 20 ti ..
Punonjësi Leo Lusha – O vëlla (mos filmo)
Gazetari – Me çfarë detyre je këtu?
Punonjësi Leo Lusha – Hidraulik.
Gazetari – Prej sa vitesh punon këtu?
Punonjësi Leo Lusha – Tani kam hyrë.
Gazetari – Po ku e gjetë këtë (jelekun)? Po ku e gjete këtë se tani e ke veshur?!
Punonjësi Leo Lusha – Po jo mo …
Gazetari – Ti je në shkollë në Tiranë?
Punonjësi Leo Lusha – Administrim Biznesi.
Gazetari – Te kush (Universitet)?
Punonjësi Leo Lusha – Te Ekonomiku.
Gazetari – Je në shkollë në Tiranë?
Gazetari – Po Eglant Beu edhe ai në shkollë është?
Punonjësi Leo Lusha – S’e njoh fare!
Gazetari – Dhe tani (ti) punon këtu, prej sa kohësh me the, prej sa muajsh?
Punonjësi Leo Lusha – 4-5 muaj.
Gazetari – Sot ku ishe? Se ne kemi vajtur në orën 14:50 …
Punonjësi Leo Lusha – Sot unë shkova, i mora leje kryetarit, për të shkuar për të marrë një vërtetim te shkolla.
Gazetari – Dhe pastaj erdhe këtu?
Punonjësi Leo Lusha – Pastaj erdha …
Gazetari – Dmth, në orën 1 pa 10 ishim ne aty, ora është 3, ma shiko sa është ora tani?
Punonjësi Leo Lusha – S’e di! Unë kam qenë këtu në orën 12:00.
Gazetari – Ti paraqitesh çdo ditë atje?
Punonjësi Leo Lusha – Po përditë.
Gazetari – Këtë jelekun ku e gjete?
Punonjësi Leo Lusha – Si ku e gjeta?
Punonjësi Leo Lusha – Në makinë.
Gazetari – Po qenka i paveshur.
Punonjësi Leo Lusha – Ku e sheh ti se e laj unë.
Gazetari – Ja pra se qenka i hekurosur.
Punonjësi Leo Lusha – O vëlla ne jena çuna të ri, s’na shkon të jena zhul.
Gazetari – Jo qenka i hekurosur …
Punonjësi Leo Lusha – I hekurosur është si duhet të jetë.
Shkojmë sërish te Njësia Administrative
Gazetari – Administratori jo (s’ka ardhur)?
Punonjësi – Jo. E gjete këtë (Leon Lushën)?
Gazetari – E gjeta po s’më tregon duart! Dale ti shoh duart?
Punonjësi 2 – S’ka shkuar në prokurori.
Gazetari – I paska njësoj me mua.
Punonjësi Limon Ajdini – Ai s’është lyer …
Gazetari – Duhet t’i ketë një çikë me kështu me ndonjë gjë. I kanë pak pis, i kanë me …
Punonjësi Limon Ajdini – Ka pasur ndonjë palë pinca.
Gazetari – Duken duar studenti.
Punonjësi 2 – I ka larë duart.
Gazetari – Administratori nuk e di kur do të vijë!
Deri në orën 16:00, Administratori nuk shkoi te Njësia Administrative Luz i Vogël!
/Top Channel