Fisnik Qosja është kryetari aktual i Bashkisë Kavajë. Ndonëse “me letra” i përket krahut të djathtë, në realitet rezulton se sillet njësoj si “të majtët”. Pra duke organizuar procedura prokurimi të dyshimta për të shpallur kandidatin e “duhur” në tenderat e organizuara nga bashkia.
Në rastin e sotëm do të shikoni se Fisnik Qosja dhe Bashkia Kavajë, kanë organizuar një tender me objekt “Organizim i festës së 1 Qershorit” me një fond limit në vlerën 970,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 11 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Por nëse shohim dokumentat e kësaj procedure, do të vëmë re se kanë marrë pjesë 14 garues. Interesant është fakti se janë refuzuar të gjithë përveç atij që ka fituar tenderin. Sipas dokumentave, shikohet se fituesi ka ofruar një vlerë të barabartë me 100% të fondit limit.
Pra kryetari aktual i Bashkisë Kavajë na rezulton “një shkallë më lart” se kolegët socialistë, të cilët të paktën ofertën e fituesit e ulnin disi nga fondi limit. Duket se Fisnik Qosja nuk e ka vrarë mendjen fare për këtë pjesë dhe ka shpallur fitues personin fizik Endri Karaboja.
Ky tender, ndonëse në vlerë të vogël, është rast tipik që ilustron se si manipulohet me tenderat në Shqipëri duke shpallur fitues atë që do kryetari dhe jo atë që e meriton.