KPA shkarkon Alfred Ballën, kreu i KLP nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në drejtësi për 15 vite

Alfred Balla nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, Inspektor i Lartë i Drejtësisë apo Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i ka ndaluar kreut të KLP, Alfred Balla të ushtrojë funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi në qershor të vitit që shkoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për përfundimin e vettingut pa një vendim përfundimtar dhe pa sanksion ndaj kreut aktual të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të ushtrimit të detyrës si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri më 31 korrik të vitit 2017. Por vettingu u ndërpre pa vendim.

Ballhysa e cilësoi vendimmarrjen e shumicës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese dhe kërkoi ndryshimin, ku veç ndërprerjes së vettingut, kërkoi që ndaj Ballës të caktohet edhe sanksioni që i ndalon emërimin në disa pozicione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, përfshirë dhe funksionin që ai mban aktualisht. KPA e pranoi këtë argument.

“Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit Publik, duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, Inspektor i Lartë i Drejtësisë apo Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare“, thuhet në vendimin e KPA. Pra, sipas vendimit, ai nuk mund të jetë as anëtar i KLP. Me pak fjalë duhet të dorëzojë detyrën.

Në ankimimin e Komisionerit Publik, Ballhysa solli në vëmendje të Kolegjit edhe faktin se Balla, teksa nga njëra anë kërkonte ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, nga ana tjetër ka bërë objekt gjykimi urdhrin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë për lirimin nga detyra, duke iu drejtuar juridiksionit gjyqësor në vitin 2020 ku ndër të tjera është shprehur se kishte pritur të krijohej Këshilli i Lartë Gjyqësor e të rishikonte aktet në kapërcim të kompetencave të ish-Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

…Subjekti i rivlerësimit i është drejtuar me kërkesë me shkrim Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke i kërkuar njohjen/pasjen e statusit të këshilltarit ligjor pranë Gjykatës së Lartë”, vëren Ballhysa dhe sqaron se KLGJ në vitin 2020 e ka pezulluar shqyrtimin e kërkesës me argumentin se kjo çështje ishte duke u trajtuar në gjykatë.

Në ankim pasqyrohet dhe fakti se, kur nga ana e trupës së KPK është vijuar me dërgimin e pyetësorëve, në shkurt të 2023-it, Balla ka depozituar pranë Gjykatës Administrative të Apelit kërkesë për heqje dorë tërësisht nga e drejta e padisë, pasi mendonte se statusi aktual pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk përputhet me atë të ndihmësit ligjor që kishte gëzuar deri në 2017-ën.

Po ashtu, Balla i është drejtuar edhe KLGJ-së, me kërkesë për heqje dorë nga kërkimi i mëparshëm për deklarimin e pasjes së statusit të këshilltarit ligjor jomagjistrat në Gjykatën e Lartë, duke arsyetuar se gjykimi kishte përfunduar në të dy shkallët dhe se pozicioni aktual në KLP nuk pajtohet me statusin e ndihmësit ligjor.

KLGJ ka vendosur në muajin maj 2023 të shfuqizojë pezullimin e shqyrtimit të kërkesës dhe përfundimin pa vendim përfundimtar të shqyrtimit të saj, për shkak të heqjes dorë nga Balla.

…Të gjitha veprimet e kryera prej tij lidhur me procesin e rivlerësimit, përfshirë edhe vetë heqjen dorë nga e drejta e padisë së paraqitur për gjykim nga subjekti i rivlerësimit, z. Alfred Balla, përpara juridiksionit gjyqësor administrativ, si dhe heqjen dorë nga kërkesa për njohjen/pasjen e statusit të Këshilltarit/Ndihmësit ligjor pranë Gjykatës së Lartë paraqitur në KLGJ, depozitimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ për prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe rrëzimin e padisë, si dhe ai i KLGJ-së për heqjen dorë nga kërkesa, si aktet ku subjekti i rivlerësimit bazonte kërkesën e tij për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit nga ana e Komisionit, janë shprehje e qartë dhe e lirë e vullnetit të tij për t’iu shmangur kryerjes së procesit të rivlerësimit”, citohet në ankim.

Vendimi i KPA u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtar.