Në kuadër të operacionit të SPAK për goditjen e eksponentëve dhe grupeve të krimit janë zbardhur disa ngjarje kriminale. Një nga këto ngjarje është edhe dhuna ndaj bashkëshortit të zëvendëskryetares së Gjykatës të Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Saida Dollani.
Siç raporton gazetari Elton Qyno në vitin 2019, në bisedat e SKY të zbardhura nga SPAK, ka rezultuar se organizator i rrahjes brutale dhe më pas vendosjes së pistoletës në gojë të burrit të gjyqtares Saida Dollani, është Emiljano Shullazi.
Policia në atë kohë arrestoi një person, por shumë shpejt ai u lirua dhe më pas çështja për akuzën e “Kanosjes ndaj gjyqtarit” dhe rrahjes së burrit të Saida Dollanit u pezullua nga prokuroria e Tiranës, për mungesë autori. Megjithëse në raportimet e para dhe dyshimet krijonin bindjen e forta se gjithçka ishte bërë nga brenda burgut me qëllim që Saida Dollani, të jepte dorëheqjen nga procesi penal kundër Shullazit, Gilmando Danit, e katër personave të tjerë që po zhvillohej në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.
Sipas gazetarit Qyno, referuar dosjes penale të finalizuar tashmë nga SPAK, njerëzit kryesorë që kanë bërë të mundur rrahjen brutale të burrit të Saida Dollanit, janë Emiljano Shullazi, ish-deputeti i PS, Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj. Burri i gjyqtares, Dollani denoncoi në 2020 se u kërcënua me pistoletë në prill të një viti më parë, teksa gruaja ishte pjesë e trupës gjyqësore të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.
Saida Dollani u largua nga procesi gjyqësor i Shullazit, ndërsa për rastin e kërcënimit nisën hetimet në Prokurorinë e Tiranës. Por 10 muaj më pas prokurorja Ida Ahmetlli kërkoi pushimin e hetimeve, ndërsa gjykata e kundërshtoi duke e rikthyer për vijimin e hetimeve. Sërish çështja nuk mundi të zbardhej duke shkuar drejt pezullimit të saj.
Procesi i Shullazit ngeci në Apel, ku Shullazi dhe grupi i tij apeluan vendimin e shkallës së pare. Dënimi i tyre në Apel u dha pa prezencën e avokatëve mbrojtës, ndërsa çështja tashmë është në gjykatën e Lartë. Emiljano Shullazi u dënua nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda dhe në Apel me 14 vite burg, ndërsa grupi në total me 55 me për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobëvënie dhe kanosje për shkak të detyrës. Pjesë e këtij grupi ishin Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja.