Pamjet i përkasin momentit kur 23-vjeçari Azgan Mërnica i vetëdorëzohet RENEA-s, pas dy ditësh në arrati. Në këtë video, Mërnica duket i qeshur teksa familjarët e marrin me një automjet “Audi” për t’ia dorëzuar Policisë pas disa minutash.
Ishin pikërisht negociatat e RENEA me familjen e autorit dhe ultimatumi i vendosur nga njësia speciale pas lokalizimit të tij në një banesë në fshatin Dërmenas që bënë të mundur daljen e Mërnicës nga vendi ku fshihej prej mesditës të së hënës.
Të hënën ai ekzekutoi me një plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalia. Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Autori ndodhej në makinë bashkë me nënën e tij kur ndodhi ngjarja. Për grupin hetimor ajo ka deklaruar se ka parë djalin e saj të debatojë me policin dhe më pas ka nxjerrë armën duke e qëlluar.
Reagimi i Policisë: Azgan Mërnica u dorëzua nga familjarët
Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë vijuar pa ndërprerë veprimet operacionale në terren me qëllim kapjen e autorit të vrasjes së punonjësit të Policisë Novruz Cenalia.
Veprimet Operacionale u shtrinë në një perimetër shumë të gjerë në zonën ku ndodhi ngjarja, duke përdorur dronë të cilësisë së lartë, të cilët kanë monitoruar zonën gjatë gjithë kohës. Po në kuadër të veprimeve operacionale, u ngritën pika kontrolli në gjithë akset rrugore, u forcuan shërbimet në pikat e kalimit, në kufirin jeshil dhe blu.
Paralel me veprimet operacionale në terren, policia ka zhvilluar negociata me familjarët e autorit për t’u vetëdorëzuar.
Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë shtetasin Azgan Mernica, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore dhe procedurale me autorin e dyshuar, Azgan Mernica.