Nënkryetarja e PD zyrtare, Oriola Pampuri, shprehet se Shqipëria është me numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve në rajon. Në një deklaratë për mediat, Pampuri solli statistikat e publikuara nga OBSH, ku theksohet se numri i mjekëve u tkur me 15%, nga viti 2018 krahasuar me vitin 2020.
Kjo sipas deputetes së PD, vjen si shkak i mungesës të politikave inkurajuese dhe rritjes së buxhetit për shëndetësinë.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, NËNKRYETARJA, ORIOLA PAMPURI
Shqipëria mbetet ende vendi me numrin më të ulët të mjekëve, infermierëve, në rajon.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vendi ynë rendidet i fundit nga rajoni për mbështetjen financiare në shëndetësi, krahasuar me vendet e rajonit dhe Turqinë.
Në fakt dhe përgjatë pandemisë Covid-19 në kulmin e emergjencës globale, ku çdo vend vendosi prioritet, jetën e qytetarëve, rritjen e numrit të shtretërve, shërbimeve dhe paratë publike, Shqipëria sërisht mbeti e fundit.
Kjo nuk ndodhi sepse vendit i mungojnë burimet njerëzore, niveli i taksave, por kjo ndodhi nga keqmenaxhimi dhe mungesa e vullnetit dhe keqqeverisjes nga ana e maxhorancës.
OBSH thekson se numri i mjekëve u tkurr me 15%, nga viti 2018 krahasuar me vitin 2020. Nga 22 mjekë për 10 mijë banorë në 18.8 mjekë për 10 mijë banorë, ndonëse në atë vit nisi dhe pandemia Covid-19.
Por po ashtu kur fjala vjen tek infermierët dhe punonjësit e shërbimeve shëndetësore, nga viti në vit kemi tkurrje të numrit të tyre për shkak të mungesës së politikave inkurajuese dhe rritjes së buxhetit për shëndetësinë.
Urgjencën e Spitalit të QSUT brenda pak muajve pas një zjarri që ende nuk dihen shkaqet e përmasat, e kanë nxjerrë jashtë çdo funksionit.
Këto të dhëna dhe ky realitet reflekton qartësisht modelin e qeverisë Rama që nga viti 2013, i cili ndonëse me propagandë e tam-tame mashtroi publikisht se do t’u ofronte shqiptarëve shëndetësi falas, në fakt e shëndërroi kurimin e shqiptarëve dy herë më të shtrenjtë se kur nis mandatin e tij të parë qeverisës. Sot Shqiptarët paguajnë 2 herë më shumë para nga xhepi se qytetarët e Kosovës, Serbisë, Bosnjës e më gjërë, e gati 6 herë më shumë se vendet e BE.
Nga ana tjetër Këshilli Bashkiak i Tiranës ka rritur tarifën vjetore për regjistrimin në kopshtet dhe çerdhet. Në vend që bashkia më e madhe e vendit të kishte një program real për familjet e reja, për fëmijët, i cili duhet të ishte nxitës me shërbime pa pagesë dhe ofrim lehtësirash të tjera, në fakt ndodh krejt e kundërta.
Ky model është dhe në qeverisjen e vendit ku mungojnë politika lehtësuese për fëmijët dhe familjen.
Ndërkohë paratë e taksave të shqiptarëve nuk shkojnë për më shumë shërbime shëndetësore, më shumë spitale të reja, për të motivuar financiarisht më shumë mjekë e infermierë, ashtu siç ata e meritojnë, por shkojnë në dhjetra miliona euro dëme në shëndetësi, ku sipas KLSH, në PPP abuzive e korruptive, në spitale që nuk përfundojnë kurrë së rikonstruktuari, apo në ato që marrin flakë dhe nuk kujtohen të vihen më në gjendje pune.
Në këtë situatë humbin vetëm shqiptarët, të cilët sorrollaten nga ky pushtet i korruptuar që abuzon dhe mashtron çdo ditë.
Ka ardhur koha që kjo gjendje të ndryshojë dhe qytetarët të trajtohen denjësisht ashtu siç e meritojnë.
Ka ardhur koha për një politikë dhe politika shëndetësore që vënë të parin qytetarin dhe jo xhepin e oligarkut të rradhës që do të përfitojë koncesionin apo kontratën e barnave me spitalin.
Është koha që çdo pushtetar duke nisur nga Ministri i Shëndetësisë e në vijim të mbajë përgjegjësi dhe të përballet me drejtësinë për çdo shkelje, abuzim, apo shpërdorim detyre që mund të ketë kryer gjatë ushtrimit të funksionit publik.
Pandëshkueshmëria në Shëndetësi duhet marrë fund!