Alibia se Alma Arrazi dhe tre fëmijët e saj janë hedhur nga ura e vjetër apo ura e re e Bunës duke i dhënë fund jetës për momentin bie poshtë për policinë dhe prokurorinë e Shkodrës sepse dyshohet se vendi i vetëvrasjes është poshtë urës dhe jo mbi urë. Kjo pasi një kukull e dyshuar se ishte e njërës prej vajzave të Alma Arrazit e cila mendohet se mbyti tre fëmijët e saj dhe u vetëvra në ujërat e lumit Buna zbuloi vendin se ku 39 vjeçarja mund të ketë kryer aktin e rëndë.
Policia vendore e Shkodrës gjeti poshtë urës së re të Bunës kukullën e cila dyshohet se i përkiste njërës prej dy vajzave të mbytura. Në fund të urës së re Bunës, në këmbët poshtë kësaj ure, në një vend me zhavor dhe pemë e shkurre efektivët gjetën kukullën e cila është sekuestruar nga prokuroria dhe është çuar për t’i bërë AND-në nëse ka apo jo lidhje me njërin prej tre fëmijëve të mbytur të Alma Arrazit. Kukulla e gjetur në breg poshtë urës, bëri që forcat RENEA nga fshati Darragjat ku u gjet vajza 9 vjeçe të përqëndrojnë kërkimet e tyre në këtë vijë ujore të lumit.
Vetëm pak metra më tutje, tek pinarët u gjet trupi i pajetë i vajzës 8 vjeçare. Jo shumë larg nga pinarët, në një largësi prej afro 2-3 kilometër në afërsi të Oblikës në Anën e Malit u gjet edhe trupi i djalit 4 vjeçar dhe rreth 35 kilometër nga aty përballë fshatit Pentar në ujërat që i përkasin Malit të Zi u gjet edhe trupi i pajetë i Alma Arrazit.
Në afërsi të vendit ku është gjetur kukulla erdhi edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili bëri edhe një deklaratë duke dhënë lajmin e gjetjes së trupit të dytë. Deri më tani nuk ka asnjë dëshmitar që ka parë 39-vjeçaren dhe 3 fëmijët duke ecur në urë apo edhe duke u ulur poshtë urës së re të Bunës apo edhe momentin kur i dha fund jetës së saj dhe fëmijëve.
Po ashtu të paktën deri më tani nuk ka asnjë dëshmitar që mund ta ketë parë Alma Arrazin duke u hedhur në ujë bashkë me fëmijët e saj si dhe nuk ka asnjë dëshmitar që të ketë dëgjuar zhurma apo të bërtitura fëmijësh. Tashmë pritet që ekspertiza të kthejë përgjigjen e AND-së nëse kukulla i përket njërit prej fëmijëve të Alma Arrazit.
Prokuroria dhe policia vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë këtë ngjarje për të cilën është i ndaluar Erdgys Arrazi, bashkëshorti i 39 vjeçares për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes” si rrjedhojë e dhunës në familje, akuza të cilat vetë ai dhe i vëllai i tij i kanë mohuar ndryshe nga motra e Almës e cila e ka akuzuar për dhunë në familje dhe tradhti.