Alfred Moisiu: Vendi ka nevojë për një President konsensual jo partiak



ARISTIR LUMEZI/ Ish-Presidenti Alfred Moisiu mendon se vendi ka akoma nevojë për President konsensual.


Zoti Moisiu festoi dje 92- vjetorin e lindjes. I vetmi President i zgjedhur me konsensus në vitin 2002, pas një situate politike shumë të acaruar, pas bojkotit të opozitës së drejtuar nga Sali Berisha e ku Kryeministër i vendit ishte Fatos Nano, zoti Moisiu shprehet se nuk është e lehtë të bashkëpunosh me politikanët tanë. Në një intervistë telefonike për gazetën “Panorama”, zoti Moisiu shprehet se “me politikanët tanë është e vështirë të këndosh, ata duan të këndosh këngën që duan ata, sepse ecin me llogari”.

Për zotin Moisiu, Presidenti i Republikës duhet të jetë një njeri që të punojë për vendin dhe shqiptarët dhe jo për interesa personale apo partiake.

I pyetur nëse do t’ia sugjeronte dikujt që të pranonte një propozim si President konsensual, për shkak të përvojës së tij të mëparshme, zoti Moisiu tha se “kam frikë se politika meqenëse u dogj me mua, si President konsensual, nuk do të digjet sërish”. Presidenti konsensual duhet të vijë nga shoqëria civile ose bota akademike, sipas zotit Moisiu, që të punojë për interesat e vendit.

Berisha dhe Nano gjatë zgjedhjes së Moisiut, President konsensual më 2002

Berisha dhe Nano gjatë zgjedhjes së Moisiut, President konsensual më 2002

Zoti Moisiu, mendoni se për shkak të situatës politike aktuale në vend, Presidenti i Republikës, mandati i të cilit mbaron në korrik 2022, duhet të jetë konsensual dhe jo partiak apo politik?

Unë mendoj se Presidenti i Republikës duhet të jetë konsensual edhe për një periudhë të caktuar kohore, sepse kemi nevojë për një zgjedhje konsensuale, për njerëz që u dhimbset Shqipëria dhe jo partia. Unë u zgjodha në 2002-shin me konsensus politik, por ishte një rast i veçantë. Herët e tjera ka dominuar maxhoranaca që ka zgjedhur Presidentin e Republikës. Zgjedhja e Presidentit s’duhet të bëhet pazar politik.

Do t’ia sugjeronit dikujt që të pranonte një propozim për President konsensual, bazuar në përvojën tuaj?

Kjo është shumë e vështirë, sepse me politikanët tanë është e vështirë të këndosh, ata duan të këndosh këngën e tyre. Nuk është e lehtë të punohet me politikanët tanë, sepse ata ecin me llogari, me kalkulime. Por është koha për një President konsensual, për të folur si shqiptar, për interesat e vendit dhe të shqiptarëve në radhë të parë. Ndërsa politikanët kalkulojnë interesat e tyre politike dhe interesat e partive. Por, nuk duhet të jetë kjo kokëçarja e Presidentit të Republikës. Kam frikë se politika meqenëse u dogj me mua, si President konsensual, nuk do të digjet sërish.

Ju mendoni se një President konsensual mund të vijë nga partitë, si kandidaturë e gjithëpranuar apo nga shoqëria civile?

Mendoj se nuk do të kishte asnjë vlerë nëse Presidenti do të vinte nga një nga partitë, sepse partitë i klonojnë njerëzit e tyre, ata harrojnë interesin e vendit dhe merren me interesat e partisë dhe të individit. Mendoj se shoqëria civile apo bota akademike ka plot figura të spikatura që do të kishin qytetarinë dhe pjekurinë e duhur për të përmbushur misionin e një Presidenti mbi palët dhe jashtë interesave partiake dhe politike.