Dalin pamjet nga momenti kur një i ri vjedh një supermarket në Qerret të Kavajës. Autori i dyshuar i grabitjes është Everest Shala, i cili tashmë është arrestuar.
Policia ka sekuestruar edhe armën e zjarrit kallashnikov që përdori i riu për të kërcënuar shitësen e marketit ku mori një shumë parash.
NJOFTIMI I POLICISE
Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit kallashnikov që përdori 25-vjeçari për të kërcënuar shitësen e marketit ku mori një shumë parash. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe të Sektorit për Krimet ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Durrës, në drejtimin e Prokurorisë, pas identifikimit, kapjes dhe prangosjes së autorit të vjedhjes nën kërcënimin e armës, vijuan punën për sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të thelluara, Policia bëri të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, të armës së zjarrit kallashnikov, të cilën autori i dyshuar e kishte hedhur në një kanal me ujë, në Qerret, Kavajë. Më herët, Policia lokalizoi, kapi dhe arrestoi autorin e dyshuar, 25-vjeçarin E. Sh., banues në Qerret. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.