Kërkesa e presidentit Volodymyr Zelensky për mbështetje me municione luftarake duket se është marrë mjaft seriozisht, dhe tashmë ka nisur të propagandohet me shpejtësi në mediat e pushtetit “se nuk është e rrezikshme”!
Kështu kryebashkiaku i Poliçanit Adriatik Zotkaj ka dhënë një intervistë, duke kërkuar që ish-kombinati mekanik të vihet në punë. Ai tregon se vetë si drejtues i pushtetit vendor ka qenë i gatshëm për ta vënë në punë ish-kombinatin edhe më parë, por nuk është lejuar për shkak të burokracive nga Ministria e Mbrojtjes.
‘Mua më bëhet qejfi që u kujtuan për Poliçanin dhe duhej të vinte lufta, pasi ne kemi bërë dhjetëra kërkesa për Ministrinë e Mbrojtjes për ta vënë në punë ish-Kombinatin mekanik, dhe përgjigja e tyre ishte s’kemi projekt. Ne kemi qenë të gatshëm si pushtet vendor për ta vënë në punë për të prodhuar fishekë për policinë, ushtrinë dhe poligonet e qitjes. Me gjithë dashamirësinë e Ramës, kërkesa jonë ka ndeshur në burokracitë e mëdha të Ministrisë së Mbrojtjes, gjithmonë kanë vënë sterkëmbësha dhe nuk kanë qenë dashamirës ndaj nesh”, tha Zotkaj.
Sipas kryetarit të bashkisë Poliçan hapja e ish-kombinatit do të sjellë të ardhura jo vetëm për banorët atje por edhe për gjithë vendin. Ai thotë se godinat janë të fortifikuara, duke shtuar se edhe nëse do të ketë gabime njerëzore si në rastin e Gërdecit, pasojat nuk do të jenë aq të mëdha.
‘Poliçani ka infrastrukturën e nevojshme. Çdo ndërtesë është e fortifikuar, nëse ndodh një gabim njerëzor si në Gërdec, pasojat nuk do të jenë të mëdha, sepse do mbetet e izoluar. Kemi makineritë e vjetra, të viteve 70-90. Sot fishekët bëhen me makineri te reja, por ne jemi të gatshëm ti mirëpresim me gjithë teknologjinë e re dhe të prodhojmë municione dhe ti përgjigjemi kërkesës së Ramës dhe Zelenskyt”, tha ndër të tjera Zotkaj.
Por këto marrëveshje të nënshkruara në samite të mbyllura dhe pa marrë fare mendimin e qytetarëve, mund të rezultojnë fatale për popullatën në rast të ndonjë incidenti! Më parë kryeministri Edi Rama ka thënë se marrëveshja nuk është pranuar vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vendet e tjera që morën pjesë në samitin Ukrainë – Europa Juglindore.