Denar Bibën nuk e beson as Erion Braçe! Opozita hedh akuza ndaj kandidatit të PS për kreun e Konkurrencës

KELMENT BAÇI/ Deputeti i PS-së Erion Braçe ka dalë kundër kandidaturës së Denar Bibës për t’u emëruar në krye të Autoritet të Konkurrencës i propozuar nga maxhoranca me firmat e 28 deputetëve.

Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, Braçe ka deklaruar se ai ka rezerva për integritetin e kësaj kandidature duke theksuar se ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve s’ka lidhje me fushën dhe nuk ka ekspertizën e duhur për të drejtuar një institucion si Autoriteti i Konkurrencës.

Sipas kreut të Komisionit Eduart Shalsi, Biba kishte përmbushur të gjitha kushtet ligjore, ndërsa deputeti i PS-së theksoi se puna e bërë deri më tani nga ky autoritet, është thellësisht negativ. Kreu i grupit të PD-së, Alfred Rushaj, në emër të opozitës tha se një njeri me qëndrime të qarta politike nuk mund të jetë në krye të Autoritetit të Konkurrencës.

Rushaj solli në vëmendje se Denar Biba u akuzua se ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg Ledio Bianku për të ndërhyrë në një çështje e pronave që po gjykohen në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut. Kreu i Komisionit, Eduart Shalsi, tha se ndaj tij ka një vendim gjykate për pushimin e çështjes. Për deputetin Erion Braçe, Denar Biba nuk ka qenë funksionar në PS, mos t’i japim merita që nuk i ka.

DEBATI

Eduard Shalsi: Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e Komisionit të Konkurrencës do shqyrtojë kandidaturën e zotit Denar Biba për në seancë parlamentare për detyrën e këtij institucioni. Denar Biba është zgjedhur anëtar i Komisionit me vendimin 29 të vitit 2021 dhe ka përmbushur kërkesat ligjore, ka meritat e duhura profesionale për të ushtruar detyrën e anëtarit dhe kryetari i Komisionit emërohet nga Kuvendi.

Alfred Rushaj: Nuk është korrekte që të marrim në shqyrtim një propozim dhe personi që është kandidat për kryetar nuk ndodhet në këtë mbledhje. Çdo person që ka ardhur qoftë edhe për t’u bërë anëtar, ka ardhur me një platformë të vetën për të treguar vizionin dhe aftësinë e tij për të drejtuar këtë institucion. Ne e vlerësojmë shumë Institucionin e Konkurrencës. Ne absolutisht nuk gjykojmë që zotëria do të ketë besimin e një pjese të mirë, jo vetëm të opozitës, por edhe shoqërisë. Mos të harrojmë që është, jo vetëm me afërsinë politike, por të mos harrojmë që është personi që ka mbajtur një pozicion të lartë shtetëror që është akuzuar nga një anëtar i Gjykatës së Strasburgut për ndërhyrje në një çështje në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Një i tillë nuk duhet të ishte as anëtar Komisioni dhe si kandidat për kryetar nuk do ishte e udhës për ta çuar. Kur keni qenë ju në opozitë, keni pasur një post. Zotëria ka uzurpuar pozicionin e anëtarit që e ka përfaqësuar opozitën në këtë autoritet. Ai duhet të japë dorëheqjen. Po prishni një praktikë të Kuvendit, cilido ka qenë në qeveri.

Edmond Spaho: Institucionet që ne i quajmë të pavarura në fakt janë thellësisht politike. Ky është rasti tipik i emërimit të një institucioni të tillë të një njeriu politik.

Arbi Agalliu: Nuk paska sot Partia Socialiste, një djalë a një vajzë, profesionist, që të mos jetë i përfshirë në pozicione të mëparshme politike. Atyre institucioneve që janë të pavarura t’i ofrojmë kandidatura të cilat nuk janë të përfolura dhe nuk kanë qëndrime politike. Ka plot profesionistë që mund ta kryejnë atë funksion.

Eduard Shalsi: Dëgjesat janë të detyrueshme kur në zgjedhim anëtarët. Kryetari emërohet. Nuk ka pasur asnjë praktikë për këtë institucion të dëgjohet në cilësim. “Është akuzuar”, tha Rushaj. Nuk ka asnjë dokument, ju sfidoj të ma provoni, që anëtari i Gjykatës së Strasburgut ta ketë akuzuar. Madje, ka një vendim gjykate për pushimin e çështjes, ku theksohet nëse do të kishte pasur shantazh ose vepër penale, gjyqtari do e kishte referuar në gjykatat e vendit. E kam parë vendimin. Nuk ka pasur asnjë referim nga zotëria. Nga ana tjetër, në këtë Autoritet Konkurrence ju keni pasur një anëtar që sot është deputet dhe hoqi dorë nga posti i tij për të marrë postin si deputet. Kam parë historikun e atij institucioni ku ka eksperienca të vlefshme dhe të hidhura, me kryetarë që kanë pas marrë edhe çelësat. Ne na takon të hapim një kapitull të ri në raport me funksionimin e këtyre institucioneve.

Erion Braçe: Është gabim që zotëria nuk është i pranishëm në mbledhje. Denar Biba nuk ka qenë funksionar në PS, mos t’i japim merita që nuk i ka. Nuk ka qenë as anëtar i PS-së, as deputet, as kryetar organizate. Për mua, ky zotëria nuk është njeri politik i PS-së. Nuk ka qenë në një detyrë shtetërore përveç KQZ-së për të cilën kam rezervat e mia. E dyta, për mua, kandidatura e zotërisë, ka tri probleme. E para, në fushën që e kemi ngarkuar si kryetar i Autoritetit të Konkurrencës nuk ka ndonjë ekspertizë me aq sa kam lexuar nga jetëshkrimi. Më vjen të them që në këtë fushë nuk ka lidhje. E dyta, kam rezerva për integritetin e zotërisë. Po e lëmë me kaq, kur të jetë përballë ia them. Në Shqipëri po zhvillohen procese kushtetuese dhe kam vetëm një qëndrim për të gjithë. Puna e bërë deri më tani në Autoritetin e Konkurrencës është thellësisht negative, i jam referuar qëndrimeve publike të marra në atë institucion. Kam lexuar çdo germë të qëndrimeve të tij atje. Vlerësimi është negativ.

Nuk është kuptuar fare roli i atij institucioni, ai është për të mbrojtur interesin publik. Përtej interesit publik, në mbrojtje të 10 kompanive, nuk është përmbushje e detyrës. Në rastin e drithit dhe miellit për bukë, denatyrimi është i dukshëm. Ka nisur një hetim paraprak përpara dy vitesh. Nga hetimi paraprak u kalua në hetim të thelluar, u kalua në vendimmarrje, u mor vendim dhe një vit tregu ishte nën monitorim. Me detyra të përcaktuara të përmbushen, në fund të një viti zgjedhja është siç referon ligji. Nëse gjetjet janë jo siç i vendosi autoriteti, vendimmarrja është në ligj. Mua kaq më mjafton që të them se nota për të është negative. Në cilësinë e deputetit, kryetarit të Komisioni, deputetit, tani i kam kërkuar publikisht në sy të të gjithëve, në procesverbale kryetarëve të Autoritetit të Konkurrencës, që për shkak të të dhënave nga tregjet, abuzimet marramendëse, të shtrohen hetimet dhe ndaj institucionit të konkurrencës. Do ta bëj prapë, nuk e kam problem, do më vinte turp nëse njëri, qoftë dhe më e vogla ose më e madhja, të vinte dhe të më thoshte, që Erion Braçe pasi më sulmoi, më ka marrë kaq lekë. Kjo do më vinte turp.

Përgjimi, si Denar Biba shantazhoi gjyqtarin Shqiptar të Strasburgut, Ledio Biankun

Në mesin e vitit 2018, Denar Biba u akuzua se kishte shantazhuar gjyqtarin shqiptar të Strasburgut, Ledi Bianku, për një çështje ku palë ishte edhe shteti shqiptar. Ndaj ish-kreut të KQZsë, Prokuroria e Tiranës nisi procedim penal për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm”, pas publikimit të audiopërgjimit mes Bibës dhe gjyqtarit Bianku. Ky veprim erdhi pas sekuestrimit të audiopërgjimit të plotë të një bisede telefonike mes tyre. Ish-kreu i KQZ-së dëgjohet t’i thotë gjyqtarit shqiptar të Strasburgut Ledi Bianku se: “A të ndalon më ky tren në stacion?

Të mbetesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë”, gjatë bisedës, të cilën ai e ka konsideruar si një bisedës midis miqsh. Sipas deklaratave të opozitës, Biba tentoi të ndërhyjë në një çështje ku palë ishte edhe shteti shqiptar në mënyrë që ajo të shtyhej edhe për pak kohë, ndërsa e pa këtë si një kërcënim të hapur nga qeveria dhe Kryeministri Rama për drejtësinë jo vetëm në Shqipëri. Por, i akuzuari për shantazh Denar Biba i mohoi në çdo moment akuzat, duke thënë se nuk kishte tentuar ta bënte këtë gjë, pasi me gjyqtarin e Strasburgut ishte duke biseduar si mik.

Marrë nga Gazeta Panorama