1 vit nga vrasja e Klodian Rashës, flet babai: Shteti të më gjejë kush e vuri armën pranë djalit, kush është ai malsor që do të shiste gjakun e fëmijës së tij?!

Babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha kërkon drejtësi për vrasjen e të birit, kur ka kaluar një vit nga ngjarja e rëndë, ku 25-vjeçari u vra nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj.

Qazim Rasha foli për mediat teksa zhvilloi homazhe në pllakën e vendosur në sheshin Skënderbej në nder të të riut Klodian Rasha.

Babai i Klodianit tha se ndihej i fyer nga deklaratat se ai ka shitur gjakun e djalit, ndërkohë që shtetit i kërkoi drejtësi, për të gjetur personat që tentuan të hidhnin baltë në drejtim të të riut, duke vendosur një armë në afërsi të trupit të tij.

Rasha tha se në rast se shteti nuk gjen personat që tentuan të hidhnin baltë mbi djalin e tij, atëherë ai vetë do të gjejë personat përgjegjës. Në fund të fjalës së tij me gazetarët, Qazim Rasha tha se uronte që kjo tragjedi të mos i ndodhë më asnjë familje shqiptare.

Flet babai i Klodian Rashës:

Dua të shpreh mirënjohjen për këdo që ka shprehur ngushëllime për familjen time, nuk dua të besoj se në vitin 2021, një nënë, një baba, dhe aq më tepër një malësor si puna ime, të shesë dhe të blejë gjakun e fëmijës së tij.

Unë ju kam deklaruar që në ditën e parë, që në shtëpinë time kam pritur dhe kam përcjellë një numër të madh njerëzish, shteti, jemi banorë të këtij shteti, që e ka për detyrë të bëjë atë që nuk ka bërë derimë tani, zbardhjen e inkriminimit që persona të caktuar, apo segmente të caktuar, u munduan që fëmijën ta përbaltin dhe ta inkriminojnë, sa të vendosnin dhe armën aty.

Sot i kërkoj shtetit, që përbaltjen e djalit, inkriminimin, bën mirë që ta gjejë personin, sa unë nuk kam nisur që ta kërkoj vetë. Lus zotin që tragjedi të tilla të mos provojë askush.

Klodian Rasha u vra pas mesnate, në datën 8 Dhjetor të vitit të kaluar, për shkak se kishte shkelur orën policore dhe ishte duke qëndruar me duar në xhepa në trotuar. Ai ka tentuar që t’iu largohet dy efektivëve të policisë që ishin duke e ndjekur nga pas, dhe për shkak të inatit që nuk arriti ta rrëzonte njëri prej tyre, nxori armën e shërbimit dhe e qëlloi nga pas.

Rasha humbi jetën menjëherë, ndërkohë që pas kësaj ngjarje të rëndë në vendin tonë pati një seri protestash, ndërsa familja e të riut kërkoi që ato të ishin paqësore.

Sa i takon procesit gjyqësor që erdhi nga pas, ish-efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj, është dënuar me 10 vite burg për vrasjen e Klodian Rashës.

Gjykata e dënoi me 15 vite burg Hajdarajn, por për shkak të gjykimi të shkurtuar përfundimisht u dënua me 10 vite burg. Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar një dënim prej 20 vitesh burg për ish-efektivin e forcave “Shqiponja” për vrasjen e ndodhur më 8 dhjetor të vitit të kaluar.