Ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford në një intervistë për Panorama TV është shprehur se situata politike e një vendi ndikon në investimet e SHBA në atë vend. Referuar Shqipërisë ai u shpreh se është e vështirë të investohet për treg të brendshëm nëse në Kongres është përmendur se ka korrupsion dhe njerëzit kanë ikur.
“Për momentin kemi një investim që është 200 e ca milionë dhe është përmendur nga DASH. Është i vogël, mund të dyfishohet vetëm me një projekt. Nuk është vetëm investim që konceptohet si klasik, nuk jemi zero por jemi në fillim.
Situata politike ndikon. Nëse shkoj te një investitor për t’i thënë se do të investohet në një vend të vogël që në Kongres është përmendur për korrupsion dhe që kanë ikur të rinjtë, a do investoni për treg të brendshëm? Është e vështirë, jo për shkak tuajin por për shkak të shqiptarëve që janë duke ikur. Nëse flasim për investime amerikane duhet të shohim strategji sesi mund të realizohet. Për shembull te energjia, që nuk varet nga njerëzit”, tha ai.
Crawford foli dhe për ambasadorin e ri që pritet të vijë në Tiranë, për të cilin tha se është emëruar nga Shtëpia e Bardhë , por ka ngecur sepse duhet miratuar në Senat.
“ Ambasadori që besoj do të vijë duhet të jetë i konfirmuar nga Senati. Është emëruar nga Shtëpia e Bardhë, ka kaluar një komitet te Senati dhe është aprovuar dhe prapë se prapë, ai mbeti atje. Nuk është problemi i tij personal, kur ka një grup për ambasadorët, që kanë karrierë 7 ose 8, janë dy miq të presidentit që mund të shkojnë në Bahamas. Disa senatorë bllokojnë procesin dhe nuk e kalojnë si grup”, tha ai.
Ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, foli dhe për bazën e Kuçovës, ndërsa për idenë e krijimit të një porti ushtarak tha se mund të jetë interesante.
“Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka firmosur për të bërë kontribut të GDP dhe besoj se është diçka pozitive sepse Shqipëria brenda NATO ka diçka për të kontribuar. Për portin besoj se mund të jetë interesante. Sa më shumë ushtarë dhe rregull të kemi aq më mirë është. Besoj se nëse bëhet brenda portit besoj do të jetë interesante sepse ai që është në det mbizotëron detin”, u shpreh ai.