Ish-zv.kryeministri, Arben Ahmetaj deklaroi gjatë një interviste nga arratia se Mirel Mërtiri nuk është më pronari i incenerarorit të Tiranës, duke deklaruar se një biznesmen shqiptaro-zviceran ka 40% të aksioneve të impiantit të mbetjeve.
Ish-zyrtari i lartë i PS-së u shpreh se ky biznesmen quhet Besim Hoxha ndërsa ngriti disa pikëpyetje se “kush e ndihmoi të marrë AMRO-n dhe se çfarë lidhjesh ka në Shqipëri”.
Ai theksoi se Mirel Mërtirin e kanë syrgjynosur për t’iu marrë inceneratorin dhe se pronari faktik është kryebashkiaku Erion Veliaj.
“Unë kam besim që Mërtiri nuk është më pronar i inceneratorit të Tiranës. Ia kanë marrë. E kanë syrgjynosur për t’ia marrë. Pse një biznesmen shqiptaro – zviceran ka 40% të inceneratorit të Tiranës. Quhet Besim Hoxha. Çfarë ka bërë ai. Pse nuk flet asnjë për këtë? Çfarë është ky? Çfarë lidhje ka në Shqipëri.
Kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n. Kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n? Është kompania që ka bërë garancinë në Dubai. Është njeriu që ka nxjerrë Këlliçi. Mirel Mërtirin këta e kanë zhdukur për t’i marrë biznesin. Ka një tjetër kompani në parajsa fiskale që ka 20%. Kush është? Po pse kërcënohem unë.
Unë e pashë Mirel Mërtirin në intervistën me ju dhe ai me të drejtë iu referua “pronarit faktik”. Ai me të drejtë iu referua pronarit faktik. Erion Veliaj a e ka referuar një kompani apo një tjetër që të mos paguajë në landfillin e Tiranës? A është ky një veprim i një pronari faktik”, deklaroi ish-zv.kryeministri për Syri Tv.
Gazetarja Ola Xama ka treguar se biznesmeni Besim Hoxha është pronar i një kompanie me bazë në Zvicër që financon fushatat e Ramës dhe Veliajt.
Ola Xama është shprehur se Blerim Hoxha është nga Kosova dhe është përfaqësues i kompanisë “Tosk Energy”, një biznes që më pas ka marrë pronësinë e rafinerisë së Ballshit, përmes kompanisë SPD.
“Besim Hoxha është pronar i kompanisë Ikare me bazë në Zvicër, ka 40 për qind të inceneratorit të Tiranës. 20 për qind janë në parajsa fiskale dhe 40 për qind janë të një italiani, Presezi, që erdhi dhe bëri edhe një takim te Agjencia e Pronave të Sekuestruara.
Blerim Hoxha është një shtetas nga Kosova, është përfaqësues i kompanisë “Tosk Energy”, një biznes që më pas ka marrë pronësinë e rafinerisë së Ballshit, përmes kompanisë SPD. Ai ka lidhje me të dyja linjat që financojnë fushatat, edhe të z. Rama, edhe të z. Veliaj”, u shpreh gazetarja.