Egnatia kryesuese ka krijuar një diferencë prej 8 pikësh nga Partizani i vendit të dytë, duke pasur siguri për vazhdimësinë e kampionatit. Ecuria e saj ka befasuar jo pak edhe ish-futbollistët që kanë kontribuar në të kaluarën me rrogozhinasit. Një prej tyre është kavajasi Ndriçim Kashami, i cili ka luajtur me Egnatian si sulmues në vitet 1998-2001, ndërsa më pas e ka drejtuar edhe si trajner.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri që ka qenë edhe në krye të skuadrave si Apolonia, Besëlidhja dhe Flamurtari i Prishtinës, i bën një analizë ecurisë së Egnatias dhe asaj që pret nga ky kampionat.
Zoti Kashami, në cilësinë e trajnerit dhe gjithashtu ish-sulmuesit të Egnatias në vitet 1998-2001, ju ka befasuar ecuria e rrogozhinasve?
Së pari, Egnatia meriton respekt dhe komplimente për gjithçka ka arritur në sezonin e shkuar. Ndërsa në këtë kampionat, skuadra rrogozhinase duket sikur ka një marsh më shumë, krahasuar me ekipet e tjera që e ndjekin. Nuk është aspak e lehtë që një ekip pa traditë të dominojë kampionatin, duke u shkëputur ndjeshëm në krye. Më bën përshtypje vazhdimësia dhe mënyra se si e interpreton ndeshjen Egnatia, pavarësisht kundërshtarit që ka përballë dhe fushës ku luan. Në këtë këndvështrim, ecuria e Egnatias është e admirueshme, edhe pse me pak kujdes mund të kishte bërë edhe më mirë, pasi ka dominuar çdo ekip, madje edhe në ato ndeshje kur nuk ka arritur të marrë tri pikë.
Fakti që kryeson me +8 pikë të befason apo e prisje?
Që do të ishte mes ekipeve më të mira dhe do të prekte vendin e parë e kam menduar, por që do të arrinte të kishte këtë diferencë pikësh, për të qenë i sinqertë, nuk i e prisja. Egnatia ka arritur pjekuri, pasi ka në dispozicion lojtarë të shkëlqyer sa i takon nivelit të kampionatit shqiptar. Megjithatë, ekipe solide kanë edhe Partizani e Tirana, por që nuk e kanë patur ecurinë e rrogozhinasve.
Në këndvështrimin tuaj ku qëndron forca e kësaj skuadre?
Mendoj që forca e Egnatias buron te dëshira për të dhënë maksimumin dhe shpërndarja e përgjegjësisë midis të gjithë aktorëve të fushës. Rrogozhinasit nuk kanë lider, por grup të konsoliduar, tashmë prej tre vitesh. Është ruajtur boshti, duke u ndërthurur mjaft mirë me lojtarët e eksperiencës dhe ata të rinj qe kanë uri dhe vrapojnë shumë. Pastaj, aspekti financiar i garantuar nga presidenti Demrozi, por edhe infrastruktura e mirë, ia ka bërë më të thjeshtë skuadrës.
Sipas jush, merkatoja e janarit e ka forcuar apo dobësuar Egnatian?
Në syrin tim largimet ishin të paevitueshme, pasi ofertat kanë qenë të kënaqshme për klubin dhe nuk mund të rezistosh. Në futboll fituesi nuk gjykohet, kështu që Egnatia pavarësisht ndryshimeve në këtë merkato, po vijon të bëjë mirë. Mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojnë në fushë lojtarët e ardhur së fundmi, por në tërësi ekipi ka qenë më i fortë në fillim të sezonit. Koha do të përcaktojë më saktë nëse ndryshimet do t’i japin të drejtë drejtuesve apo jo, edhe pse objektivi “Final 4” është thuajse i sigurtë.
Besoni se ky grup mund të përballojë në dy fronte, kampionat dhe Kupë?
Padiskutim që po, pasi ekipi ka 2 formacione që pavarësisht se kush zbret në fushën e lojës, s’ka diferenca mes lojtarëve. Është luks të kesh në skuadër futbollistë si Sherri, Fangaj, Malota, Memolla, Zejnullai, Fernando apo Aleksi. Jam i bindur që do t’i bënin punë çdo ekipi që lufton për titull. Mendoj që është viti i duhur për të tentuar dhe shpresuar gjithçka, aq më tepër kur ke edhe një diferencë pikësh në kampionat, që të lehtëson presionin nga ndonjë rezultat negativ.
Formula e këtij sezoni e ndihmon apo dëmton Egnatian për synimet që ka?
Në këtë pikë të kampionatit Egnatia është ekipi që dëmtohet me formulën e re të aplikuar nga FSHF-ja. Ose thënë ndryshe kjo formulë dëmton cilindo ekip që grumbullon më shumë pikë në 36 javë kampionat dhe i jep shansin të fitojë titullin skuadrës që mund ta kesh mundur 3 apo 4 herë gjatë një viti. Kam dëgjuar shumë diskutime rreth formulës dhe kam bindjen që i ka të gjitha gjasat të dështojë, pasi nuk ka në thelbin e saj meritokraci absolute. A nuk është absurditet që të dominosh 36 javë kampionat dhe të përcaktosh fatin tënd me dy 90-minutësha?! Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë, por uroj dhe shpresoj që haku të shkojë tek i zoti në fund të sezonit.
ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL