Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar hetimet e reja të nisura nga SPAK ndaj ish-ministrit të shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Në një reagim në “X”, Tabaku shkruan se sipas saj, “miti se qeveria socialiste është e pastër teksa ish-ministrat janë nën akuzë për korrupsion nuk tingëllon aspak e vërtetë”.
Deputetja thekson se llogaridhënia nuk është selektive, ndërsa shton se ministrat e korruptuar reflektojnë sistemin.
“John F. Kennedy përsëriste shpesh se ‘Armiku më i madh i të vërtetës nuk është gënjeshtra…por miti” Miti se qeveria socialiste është e pastër teksa ish-ministrat janë nën akuzë për korrupsion nuk tingëllon aspak e vërtetë.
Llogaridhënia nuk është selektive! Ministrat e korruptuar reflektojnë sistemin. Kur ato akuzohen për korrupsion janë dëshmitarë të sistemit. Një qeveri që s’ka gisht në “përgjegjësinë personale” nuk justifikohet, ajo parandalon, mbikqyr dhe lufton korrupsionin!”, shkuan Tabaku.
Kujtojmë se ka qenë po deputetja Jorida Tabaku ajo e cila në vitin 2016, kallëzoi në Prokurori Beqajn duke e akuzuar atë se kishte ndryshuar kriteret për të favorizuar mikun dhe klientin e tij “Delta Farma”.
“Sot bashkë me kolegët Vokshi dhe Bardhi dorëzuam në prokurori kallëzimin penal për shpërdorim detyre për Ministrin Beqja. Me një urdhër të pazakontë ministri ka ndërhyrë mbasi janë hapur dokumentet e tenderit dhe ka ndryshuar kriteret duke hequr si detyrim dokumentin e origjinës dhe autorizimin e prodhuesit.
Kjo ka bërë që përveç kostos financiare prej 1 mld lekësh të ketë dhe dëme në shëndetin dhe sigurinë e jetës. Ky vendim i hapi rrugë barnave te pakontrolluara dhe bëri te mundur që siguria e tyre të jetë e dyshimtë. Falenderoj ekspertët e shëndetit, ekspertët ligjorë dhe ato të antikorrupsionit për punën voluinoze dhe dokumentimin e kësaj afere”, deklaroi Tabaku më 19 dhjetor 2016.
Shtatë vite më vonë, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit mësynë në të njëjtën kompani farmaceutike, duke ushtruar kontrolle. Kompania Delta Pharma dyshohet se është një prej fituesve më të mëdhenj të tenderave të ilaçeve në kohën kur ministër i Shëndetësisë ishte Ilir Beqaj.