Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme këtë të premte në kuadër të masës së sigurisë të vendosur ndaj tij, asaj të detyrimit me paraqitje pranë një oficeri të BKH-së.
“Deri tani nuk ka asnjë provë faji. Pa dyshim në sistemin e drejtësisë edhe unë jam i detyruar të pres vendimin e gjykatës”, tha midis të tjerash Beqaj. Ai u pyet edhe për hetimin e fundit të nisur ndaj tij.
“Së pari ministri nuk bën tendera. Në kohën kur kam qenë ministër, nuk kam pasur asnjë interes financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët e tyre. Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty. Ata që erdhën dhe bënë kontrollin më treguan një vendim gjykate për hetimin ndaj një personi tjetër”, shtoi më tej.
Avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj nuk kishte shumë për të thënë për mediat rreth hetimeve për klientin e tij. Ndërsa në shumicën e pyetjeve tha se nuk kishte dijeni, avokati tha se Beqajt dhe personave të tjerë të vënë nën hetim janë sekuestruar telefonat dhe kompjuterat.
“Ajo që ia vlen të komentoj është dëshira e Zt. Beqaj që të zhvillohen këto hetime. Se çfarë lidhje ka dhe nëse këto lidhje përbëjnë elementë të veprës penale, këtë duhet ta faktojë Prokuroria.
Di që janë sekuestruar kompjutera dhe celularët. Te të gjithë personat janë sekuestruar të gjitha materialet, si telefonat, kompjuterat. Vendimi i Gjykatës flet për përgjime ambientale. Kam dijeni për kontrollin në banesën e zt. Beqaj”, tha avokati.
Me urdhër të SPAK, BKH dhe policia janë duke ushtruar kontroll në ambientet e farmacisë “Delta Pharma”, por edhe në disa farmaci të tjera, kryesisht në Tiranë.Kontrolli vjen në sajë të një hetimi të ri penal, pas indicieve që SPAK ka marrë, ku dyshohet se në kohën kur Ilir Beqaj ka qenë ministër i Shëndetësisë, ka lidhur kontrata klienteliste me këto farmaci.
Ish-ministri Beqaj, në kohën kur ka marrë detyrën si ministër, përmes modifikimeve të specifikimeve kualifikuese, ka favorizuar pikërisht kompaninë “Delta Pharma”.
Mësohet se në tenderin e organizuar nga Ministria e Shëndetësie në vitin 2014, në periudhën Mars – Prill, pasi u publikuan tenderat, pak ditë më vonë ka dalë një njoftim për modifikim të specifikimeve kualifikuese.
Burimet konfirmojnë se në mënyrë të selektuar për disa lote, është hequr kërkesa për Autorizim Prodhuesi, ndërsa u la për të gjitha lotët e tjerë. Specifikimi është hequr për të gjitha kompanitë Multinacionale si Roche, Pfizer, Sanofi-Aventis, Bayer, Jansen Cilag, Abbvie, përveç Novartis.
SPAK po heton për rolin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në lidhje me dyshimet për kontrollin e kompanive farmaceutike. BKH pas ‘Delta Pharma’ ka ushtruar kontrolle në banesat e aksionarëve dhe drejtuesve të kompanisë farmaceutike.
Ndërkohë, rezulton se gruaja e Beqajt, Adriana Beqaj, ka qenë aksionere në një kompani që lidhet me ‘Delta Pharma’.
Sakaq, kontrollet në Delta Pharma kanë vijuar deti natën vonë, ndërsa ka pasur forca të shumta policore. Ilir Beqaj ka dyshime se kontrollon kompanitë indirekt dhe në kohën që ka qenë ministër ka dyshime për lidhje të kontratave klienteliste.