Basha: Berisha si Enver Hoxha, krijoi organizatën e parë antiamerikane. Rezoluta e miratuar në Këshillin Kombëtar të PD



Përmes një rezolute të miratuar nga të gjithë anëtarët pjesëmarrës, Këshilli Kombëtar i PD-së e cilëson aktivitetin politik të organizuar nga Sali Berisha si antiamerikan.


Pas më shumë se dy orë diskutimesh, Këshilli miratoi rezolutën e paraqitur nga kryetari i Partisë Demokratike, e cila kërkon të distancojë këtë parti nga qëndrimet e Sali Berishës. “Konsideron se duke instrumentalizuar disa problematika të brendshme të Partisë Demokratike, shqetësimet dhe ndjeshmëritë e sinqerta të mjaft demokratëve pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, si dhe duke mobilizuar e mbledhur rreth vetes një grup organizatorësh me axhendë dhe interesa personale të së shkuarës dhe të sotmes, lëvizja ‘Berisha’ për të shantazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç e deklaroi hapur në fjalën e tij, Sali Berisha hodhi dje bazat e një organizate politike me frymëzim antiamerikan që vetëm me PD-në nuk ka e nuk do të ketë asnjë lidhje kurrë. Kjo është lëvizja e parë anti-amerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës”, thuhet në rezolutën e miratuar dje nga Këshilli Kombëtar i PD-së. Në rezolutën e miratuar nga anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së theksohet se Kuvendi i Berishës është nul dhe për to nuk ka asnjë vlerë politike.

“Konkludon se çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendim i këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike. Afirmon se Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve, ku do të diskutohet, debatohet e vendoset në mënyrë demokratike për thellimin e demokracisë se brendshme dhe fuqizimin e PD-së përballë sfidave të kohës”, thuhet në rezolutën e miratuar dje.

KRYETARI 

Këshilli Kombëtar i kërkon kryetarit të PD-së që të mbrojë interesat e kësaj partie për ta afirmuar atë si opozita e vetme kundër qeverisë së Edi Ramës. Në rezolutë theksohet se qëllimi i aktivitetit politike të Berishës ishte deligjetimimi i institucioneve të partisë. “Këshilli Kombëtar mbështet të gjithë veprimtarinë dhe vendimmarrjen e kryetarit, Kryesisë dhe Grupit Parlamentar për mbrojtjen e interesit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj si opozita dhe alternativa e vetme për largimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e demokratëve si forcë qeverisëse.

Vlerëson se lëvizja ‘Berisha’ dhe tubimi i djeshëm si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në zhbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbrojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA-së”, thuhet në rezolutë. Në vijim të qëndrimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, theksohen marrëdhëniet shumë të mira që kjo parti ka me SHBA-në dhe mbështetja që ata japin në luftën kundër korrupsionit.

“Këshilli Kombëtar e konsideron luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në sferat e larta si një element kyç për vendosjen e shtetit të së drejtës, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, integrimin e Shqipërisë në BE, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, zhvillimin dhe mirëqenien e familjeve shqiptare. Në këtë luftë vendosja nga SHBA-ja e antikorrupsionit si përparësi e politikës së saj dhe përdorimi i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe paligjshmërisë në vend”, thuhet në rezolutë.

REZOLUTA E MIRATUAR NË KËSHILLIN KOMBËTAR TË PD

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur sot në 12 dhjetor 2021 në përmbushje të përgjegjësive të veta politike dhe statusore, si organi më i lartë i Partisë Demokratike midis dy kuvendeve:

-Diskutoi mbi situatën shqetësuese të krijuar nga lëvizja e zotit Sali Berisha pas pezullimit të tij nga Grupi Parlamentar dhe tubimi i tij përmbledhës i datës 11 dhjetor; 

-Konstatoi se thirrja e këtij tubimi me pretendimin se po mblidhte një Kuvend të Partisë Demokratike dhe të ashtuquajturat “vendime” shkelin të gjitha normat e Statutit të PD-së që rregullojnë funksionimin dhe vendimmarrjen e saj si institucion politik; 

-Vëren se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statusore dhe ligjore;

-Vlerëson se lëvizja “Berisha” dhe tubimi i djeshëm si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në zhbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbrojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA-së;

-Konkludon se çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendim i këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike;

-Afirmon se Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve, ku do të diskutohet, debatohet e vendoset në mënyrë demokratike për thellimin e demokracisë se brendshme dhe fuqizimin e PD-së përballë sfidave të kohës;

– Konsideron se duke instrumentalizuar disa problematika të brendshme të Partisë Demokratike, shqetësimet dhe ndjeshmëritë e sinqerta të mjaft demokratëve pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, si dhe duke mobilizuar e mbledhur rreth vetes një grup organizatorësh me agjendë dhe interesa personale të së shkuarës dhe të sotmes, lëvizja “Berisha” për të shantazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç e deklaroi hapur në fjalën e tij, Sali Berisha hodhi dje bazat e një organizate politike me frymëzim antiamerikan që vetëm me PD-në nuk ka e nuk do të ketë asnjë lidhje kurrë. Kjo është lëvizja e parë antiamerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës; 

-Partia Demokratike distancohet me forcë dhe dënon lëvizje të tilla që bien ndesh me përcaktimet identitare të saj, me interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, me marrëdhëniet strategjike jetike të Shqipërisë dhe kombit shqiptar me SHBA-në; 

-Këshilli Kombëtar apelon demokratët që ishin në tubimin e 11 dhjetorit për shqetësimet e tyre legjitime, që nuk kanë lidhje me agjendën dhe interesat personale të Sali Berishës, të reflektojnë dhe të qëndrojnë të bashkuar me shumicën e demokratëve rreth historisë dhe vlerave të shenjta të Partisë Demokratike;

-Këshilli Kombëtar e konsideron luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në sferat e larta si një element kyç për vendosjen e shtetit të së drejtës, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, integrimin e Shqipërisë në BE, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, zhvillimin dhe mirëqenien e familjeve shqiptare. 

Në ketë luftë vendosja nga SHBA-së e antikorrupsionit si përparësi e politikës së saj dhe përdorimi i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe paligjshmërisë në vend 

-Këshilli Kombëtar shpreh vlerësimin dhe mbështetjen e plotë për ngritjen në një nivel të ri dhe më të ngushtë të marrëdhënieve të bashkëpunimit të Partisë Demokratike dhe kryetarit të partisë me SHBA-në; 

-Këshilli Kombëtar mbështet të gjithë veprimtarinë dhe vendimmarrjen e kryetarit, Kryesisë dhe Grupit Parlamentar për mbrojtjen e interesit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj si opozita dhe alternativa e vetme për largimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e demokratëve si forcë qeverisëse.