I dënuar me dy vite burg/ Arrestohet në Itali ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar


Ish-kryeprokurori Adriatik Lalla është arrestuar sot në Romë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, konfirmojnë burime për “Panorama.al”. 

Adriatik Llalla, për të cilin është firmosur një urdhër-arresti më 22 shtator, u largua nga Shqipëria më 9 shtator, ditën kur Apeli i dha formë të prerë vendimit të dënimit të tij me 2 vite burg.

Të dhënat e sistemit TIMS treguan se ai ishte larguar Rinasi në drejtim të Italisë, por deri më sot nuk dihej destinacioni i tij final.

Më 8 tetor, Policia i kërkoi SPAK-ut të niste procedurat për ta shpallur Llallën në kërkim ndërkombëtar.

I pyetur nga mediat mbi vendndodhjen e Adriatik Llallës, avokati i Sokol Hazizaj ishte shprehur se nuk kishte informacione, ndërsa po ashtu kishte bërë me dije se klienti i tij “vuan nga një sëmundje e parekuperueshme”.

Sjellim në vëmendje që GJKKO e shpalli fajtor Adriatik Llallën për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Ndërsa pasuritë që i ishin konfiskuar nga ish-Gjykata për Krime të Rënda, me vendim të datës 20 korrik 2018, i kaluan shtetit.