Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani deklaroi sot se institucioni që ai drejton i kushton rëndësi hetimit të veprave penale të kryera nga funksionarët publikë.
Deklaratën ai e bëri gjatë një aktiviteti me Prezencën e OSBE-së, e cila mbështeti SPAK-un dhe Gjykatat e Posaçme në forcimin e kapaciteteve hetuese dhe gjykuese
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës, organizoi një trajnim për “Hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik”. Trajnimi u hartua mbështetur në fushat me interes të identifikuara nga prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe nga gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të cilët ishin përfituesit kryesorë të kësaj veprimtarie.
Trajnimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve ndërdepartamentale të Prezencës së OSBE-së për të mbështetur Shqipërinë për të çuar përpara zbatimin e reformës anti-korrupsion në vend dhe për të konsoliduar shtetin e së drejtës, institucionet kryesore të drejtësisë dhe shoqatat e shoqërisë civile që punojnë me sistemin gjyqësor, përmes aplikimit të praktikave më të mira ndërkombëtare, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së.
Prezenca e OSBE-së është një partnere afatgjatë e sistemit gjyqësor, me mbështetjen e saj të vijueshme në procesin e zhvillimit profesional. Prezenca do të vijojë të mbështesë konsolidimin dhe funksionimin e efektshëm të institucioneve të drejtësisë.