Mbrëmjen e djeshme u publikua një video ku shihej momenti kur një qytetar i jep para policit në Kavajë.
Qytetari deklaroi se ka qenë polici i cili pas disa kontrolleve i ka kërkuar atij një kafe.
Pas publikimit të videos nga JOQ, ka ardhur reagimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Kjo e fundit ka pezulluar nga detyra inspektorin me inicialet I. Ç, me detyrë trupë shërbimi në Policinë Rrugore, në Komisariatin e Policisë Kavajë.
Deri në hetimin e plotë të ngjarjes, policia do të jetë i pezulluar, teksa në vijim pritet sqarimi i rrethanave të rastit dhe të pretendimit të qytetarit.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës:
Menjëherë pas publikimit të një video-je në portalin “JOQ”, nëpërmjet të cilës një shtetas pretendon se i ka dhënë ryshfet një punonjësi të Policisë Rrugore të Kavajës, ju informojmë se: Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në zbatim të nenit 222 të rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar menjëherë nga detyra, deri në sqarimin e plotë të këtij rasti, punonjësin e Policisë, inspektor I. Ç, me detyrë trupë shërbimi në Policinë Rrugore, në Komisariatin e Policisë Kavajë. Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetim disiplinor, për sqarimin e rrethanave të rastit dhe të pretendimit të këtij shtetasi. Policia e Shtetit falënderon qytetarët dhe median që denoncojnë raste të tilla, si dhe i siguron ata se është e vendosur për të larguar nga radhët e saj, cilindo punonjës policie që abuzon me detyrën.