Teksa sot GJKKO pret që ta marrë në pyetje, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se është i gatshëm që të paraqitet në çdo kohë, por nuk do të pranonte kurrë që të shkelte kushtetutën.
Ai u shpreh se është i gatshëm të ndryshohet Kushtetuta sa i përket ligjit për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë në raste të tilla, por jo të “menderoset” kjo e fundit, duke lënë të kuptohet se mund të mos pranojë të merret në pyetje ditën e sotme në GJKKO. Berisha përfundoi duke thënë për gazetarët se “piramida e trillimit” do të shembet dhe ai vetë nuk do të pengojë asnjë proces hetimor ose gjyqësor.
“Jam i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo pyetje, por kurrë për vendime antikushtetuese. Nuk e bëj absolutisht për vete, sepse unë siç e dini ju, jam njeriu që kam dërguar në parlament ligjin, i cili vendoste barazinë e plotë midis çdo zyrtari dhe qytetarit në Kushtetutë. Këtë ligj e ktheu me forcën e kartonit Edi Rama. Jam gati ta votoj nesër. Jam gati pa asnjë hezitim. Por përse ky ligj është në Kushtetutën e vendit, unë nuk mund të pranoj dot asnjë lloj kompromisi për shkeljen e tij. Përkundrazi po konsultohem me juristë dhe të tjerë, që të ndërmarr të gjithë hapat e tjerë në mbrojtje të Kushtetutës. Në çdo kohë, unë jam i gatshëm të paraqitem, siç jam paraqitur kur më kanë thirrur, për t’u pyetur dhe për çdo gjë. E vetmja gjë, që nuk mund të pranoj kurrë, të shkel Kushtetutën e vendit. Të ndryshojmë Kushtetutën e vendit, jam autori i ligjit, që kjo mbrojtje nuk duhet të ekzistojë. Nuk duhet të ekzistojë, duhet të jenë të gjithë të barabartë.
Hajde atëherë të ndryshojmë Kushtetutën, por jo ta menderosim Kushtetutën. Për atë nuk jam dakord. Sa kureshtje keni ju, unë besoj se me këto që u përgjigjem, jam korrekt fare. Pra, piramida e trillimit, e mashtrimit dhe e falsifikimit do të shembet. Dhe ju garantoj ju siç ka ndodhur, e bazuar gjithçka në falsifikim, fshehje dokumentesh dhe mashtrime. Kurse, nuk pengoj asnjë proces gjyqësor, hetimor, etj. E vetmja gjë, kjo është totalisht një formalitet, por një formalitet që buron nga Kushtetuta e vendit dhe unë nuk mund ta shkel., tha Berisha.
Kujtojmë se Berisha është nën hetim nga SPAK nën akuzën e korrupsionit pasiv, për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.