Ashtu siç pritej, Skënder Gjunushi është rikonfirmuar sot në krye të Akademisë së Shkencave. Pas zgjedhjeve që u mbajtën të fshehta dhe me procedura të dyshimta, nga 53 anëtarë të Akademisë së Shkencave, 51 prej tyre votuan pro Gjinushit dhe vetëm 2 prej tyre kundër.
Në mënyrë krejt të papritur dhe pa njoftuar mediat dhe publikun, sot u zhvilluan zgjedhjet për kreun e ri të Akademisë së Shkencave. Duke qenë se media nuk ishte në dijeni të zgjedhjeve, kandidat i vetëm për këtë post ishte sërish Skënder Gjinushi, i cili duket se kishte bërë gati të gjitha kushtet për t’u rikonfirmuar në detyrë, ndonëse me procedura të dyshimta dhe pa transparencë për publikun. Zgjedhjet u mbajtën pa rivalë dhe fushatë brenda ose jashtë Akademisë së Shkencave, me opinionin shkencor, ku pjesëmarrësit në garë të shpalosnin platformat dhe idetë e tyre. Kujtojmë se i vetmi që u deklarua kundër procedurave të sotme ishte akademiku Artan Fuga.
Projektligji që parashikon ndryshime në ligjin e 2019-ës “Për Akademinë e Shkencave” u prit me kritika nga opozita dhe shumë akademikë, për formulimin që lidhej me mandatin e kryetarit të ASH-së.
Pas votimit ku mori 98% të votave, pasi 51 nga 53 anëtarë votuan pro tij, Gjinushi tha se procesi ishte normal dhe se secili kandidat ka në dorë veten për të kandiduar. “Secili ka kandidat ka në dorë veten e vet. Gjithkush nga Akademikët kanë qenë i ftuar dhe jo vetëm se ligji ta jep të drejtën. Në një shoqëri demokratike, lejohet kandidimin e lirë, kur pengohet është problem”, theksoi Gjithnushi.
Pyetjes se si ndihej në një proces pa garë, kreu i rizgjedhur i Akademisë tha se kishte një garë ku votohej. “Garë është se votohej po jo. E dini ju se votohej? Vazhdoni i bini një kambane. Dinë se ç’bëjnë 53 akademikë. Mos bëni sikur jeni më të mençur se 53 akademikët”, iu përgjigj ai gazetarëve.
Kryetari dhe nënkryetari i Akademisë së Shkencave u rizgjodhën në postet që mbanin 4 vitet e fundit. Ndërsa në garë nuk kishte kandidatë të tjerë, Skënder Gjinushi dhe Vasil Tole u zgjodhën me shumicë votash.