Kuvendi i PD/ “Do të hedhim poshtë çdo trillim”, Basha publikon sot emrat e 5004 delegatëve

Ashtu siç u parashikuar, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pritet të bëjë sot publike emrat e 5 mijë e 4 delegatëve që ishin dje pjesë e Kuvendit Kombëtar.

“Nesër para çdo shqiptari do të hidhet poshtë çdo trillim, duke bërë transparent emrat e 5004 delegatëve që ishin të pranishëm,”, pohoi mbrëmë kreu i PD-së, Basha.

Kujtojmë se me sloganin “Zgjedhim te ardhmen”, Basha mblodhi dje Kuvendin Kombëtar për të riorganizuar opozitën pas kundërshtive që lindën në radhët e saj, lidhur me përjashtimin e ish-kryetarit Berisha nga grupi parlamentar, si politikan i shpallur “non grata” nga SHBA.

Ky Kuvend u mbajt një javë pasi ish-kryetari Sali Berisha me mbështetës të tij mbajtën një tjetër Kuvend, ku deklaruan se kanë shkarkuar kryetarin aktual Lulzim Basha dhe zëvendësit e tij. Ndërkohë, dje paralelisht, u votua për referendumin për shkarkimin e Bashës nga detyra e kreut të PD-së, iniciativë e ndërmarrë kjo nga Berisha dhe grupi i Rithemelimit.