Ndryshime në qeveri? Çfarë pritet të ndodhë gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së, e gjithë vëmendja tek fjalimi i Ramës!

VALENTINA MADANI/ Kreu i mazhorancës Edi Rama do të mbledhë sot për herë të dytë në pak javë Asamblenë Kombëtare të PS-së.

Asambleja pritet me interes edhe për shkak se zëra për ndryshime në kabinetin qeveritar, nuk janë mohuar asnjëherë nga krerët e selisë rozë. Mbledhja do të mbahet në orën 16:30 dhe pritet me mjaft interes fjalimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili, përveç objektivave për sezonin e ri politik, pritet të shpallë edhe emrat e sekretariatit të ri të partisë.

Në konferencën e fundit me gazetarët, kryeministri Rama nuk e përjashtoi mundësinë për ndryshime në qeverinë, kur tha se për këtë do duhej te pritej mbledhja e Asamblesë. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë në muajin korrik, Rama shkarkoi nga detyra të gjithë sekretariatet, përfshi këtu edhe Sekretarin e Përgjithshëm, Damian Gjiknuri dhe komandoi në këtë detyrë, Blendi Klosin.

Asambleja do të miratojë gjithashtu punimet për kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste në fund të muajit shtator.

“Reflektime dhe qarkullim mendimesh e idesh në prag të një sezoni të ri reformimesh dhe vetëreformimi”, tha Rama, Tepelenë, 28 korrik.

Mjaftoi një postim i tillë, i bërë më 28 korrik të këtij viti, që kreu i qeverisë të krijoj ethe te kabineti i tij, për ndryshime të mundshme në qeveri në këtë fillim shtatori. 4 shtatori do të mbledhë sërish brenda një periudhe shumë të shkurtër asamblenë e Partisë Socialiste, ditë në të cilën priten ndryshime e njoftuara në strukturën e kabinetit qeveritar.

“Do t’ju duhet të prisni deri në asamble për mësuar ndryshimet”, tha Rama. Emrat që largohen ose të rinjtë që marrin poste, janë përcaktime të cilat vendosen nga kreu i qeverisë Edi Rama dhe ende nuk ka asnjë konfirmim, por krerët e dikastereve që janë përmendur më herët për të lëvizur janë disa.

Delina Ibrahimaj është një prej më të rrezikuar, me ministren e Ekonomisë dhe Financës që u përfolurve një herë e dorëhequr në korrik, por që më pas u mohua nga vetë ministrja dhe Kryeministri.

Frida Krifca, Ministrja e Bujqësisë dhe zhvillimit rural, është një tjetër emër në diskutim, pas lajmit të bujshëm se OLAF i Bashkimit Evropian po heton për shpërdorim të fondeve Ipard për bujqësinë shqiptare. Bëhet me dije se ashtu si edhe është paralajmëruar, në Asamble pritet që të konfirmohet plani që kreu i ekzekutivit t’i japë më shumë pushtet zv. Ministrave në drejtimin e dikastereve qeveritare, detaj i cili u vu re edhe nga pjesëmarrja e tyre në analizën e fundit të mbledhjes së qeverisë të Organizuar në Tepelenë.

Më shumë angazhim, vendimmarrje e përgjegjësi për zëvendësit në të gjitha ministritë, ndërsa do të ketë ndarje të sektorëve në të gjitha ministritë. Besohet se një linjë të tillë, Kryeministri do të ndjek edhe për zëvendësuesit e tij në Qeveri. Sot në orën 16:30, përpara anëtarëve socialistë të kryesisë, aludimet do të marrin fund, kryesocialisti do të pritet të njoftoj zëvendësimet përkatëse, ndërsa më pas do të fillojnë punën për përgatitjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm në fund të muajit shtator.