VITI POLITIK/ “Gjysmë-Parlamenti” voton pro shkarkimit të Presidentit Meta


KELMENT BAÇI/ Viti 2021 shënoi fundin e legjislaturës së 9-të dhe fillimin e së dhjetës, të cilat u shoqërua me përplasje mes të zgjedhurve të shqiptarëve në dy zgjedhjet e fundit. Gjysma e parë e vitit kishte në Kuvend një opozitë, e cila doli nga fundlistat e PD-së dhe LSIsë, që pavarësisht disa figurave që kundërshtuan qeverinë, një pjesë e madhe e tyre ishin aty vetëm për “vota” në favor të maxhorancës.

Presidenti Ilir Meta ishte pa asnjë dyshim personazhi i vitit 2021. Për herë të parë, Parlamenti shqiptar mori një vendim për shkarkimin e kreut të shtetit me pretendimin “Për shkelje të rënda të Kushtetutës”. Ky vendim hyn në fuqi vetëm pas vendimit nga Gjykata Kushtetuese. Nga ana tjetër, Presidenti e cilësoi këtë vendim si “nul”, që e ndërmori një Kuvend njëpartiak, duke ironizuar qëndrimin e deputetëve të opozitës. Përplasja presidencë-qeveri-parlament ishte e ashpër, pasi kreu i shtetit ktheu pjesën dërrmuese të ligjeve të miratuara, duke i cilësuar ato si antikushtetuese, ndërsa maxhoranca i rrëzoi ato në Kuvend. Viti 2021 shënon edhe rikthimin në 10 shtator të opozitës në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, duke rikthyer edhe debatin e vërtetë, pas mbi dy vitesh mungesë, që erdhi nga djegia e mandateve. Kjo legjislaturë u shoqërua që në nisje të saj me përplasje të forta mes maxhorancës dhe opozitës, e cila i konsideroi zgjedhjet si masakër elektorale. Pavarësisht përplasjeve të brendshme, opozita nisi oponencën ndaj qeverisë me ngritjen e dy komisioneve hetimore për zgjedhjet dhe inceneratorët, ndërsa PS nuk aprovoi atë për çështjen “Becchetti”. PS, nga ana tjetër, kërkoi zgjatjen e organeve të vetingut, por për këtë i duhen edhe votat e PD-së, ndërsa nga ana tjetër dy komisionet hetimore janë në vendnumëro. Buxheti, kontratat koncesionare, korrupsioni e deri te respektimi i rregullores, kanë shoqëruar debatet dhe përplasjet në këto 4 muaj, ndërsa qeveria ka miratuar edhe ligjet për krijimin e disa agjencive të kundërshtuara me dekret nga Presidenti. Rama dhe Basha kanë marrë kohë më shumë se kurdoherë tjetër në përplasjet mes tyre. 

NGJARJET E VITIT 2021

18 janar – Hapet sesioni i fundit për legjislaturën e 9-të të Kuvendit. Me 94 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim, Kuvendi i Shqipërisë kaloi të tria aktet normative të marrëveshjes Shqipëri-”Pfizer” për t’i hapur rrugën ardhjes së dozave të vaksinave anti-Covid në Shqipëri. Seanca parlamentare u shoqërua me debate të forta, ku deputetët e opozitës parlamentare i kundërshtuan këto akte normative, pasi nuk kishin informacion të detajuar për to. Nga ana tjetër, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, iu përgjigj se marrëveshja nuk do të publikohet asgjëkund dhe është një sekret i kërkuar nga kompania.

28 janar- miratohet me 94 vota pro, 6 kundër dhe 5 abstenime projektligji “Mbi përcaktimin e numrit të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”, ku nga 15 anëtarë, u vendos që SPAK të përbëhet nga 20 prokurorë.

1 shkurt – ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, deklaroi se pjesëmarrja në votimet e 25 prillit të shqiptarëve me banim jashtë është një vendim që i takon plotësisht KQZ-së dhe pretendimet se për këtë kërkohet një konsensus mes palëve politike i konsideroi krejtësisht të gabuara. Deputet e opozitës kërkuan që diaspora të votojë, ndërsa deklaroi se PS dhe PD nuk duan që ata të ushtrojnë të drejtën e tyre, prandaj bëjnë sikur zihen.

7 shkurt- Kreu i shtetit deklaroi se zgjedhjet nuk shtyhen, pavarësisht rritjes së numrit të infektimeve me Covid-19, ndërsa u bëri thirrje partive politike të mos kandidojnë persona me probleme me ligjin dhe për largimin e personave të inkriminuar nga listat e zgjedhjeve, pasi këtë herë shqiptarët do të ndëshkojnë me votë.

10 shkurt– Komisioni i Ligjeve miraton kërkesën e KQZ-së për dyfishim të fondit për partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 prillit. Në zbatim të Kodit të ri Zgjedhor, nga 65 milionë lekë në vitin 2017, fondi duhet të jetë minimalisht 130 milionë lekë për vitin 2021.

11 shkurt- Policia e Shtetit përfshihet në politikë, pasi vetëm në dy ditë firmosi 4 gjoba për aktivitete të karakterit politik. Konkretisht, u gjobit kryetarja e LSIsë, Monika Kryemadhi, kandidati i LSI-së, Endrit Braimllari, kryetari i shoqatës “Durrësi Autokton”, Abdulla Deliallisi, dhe Enkeljed Alibeaj, si dhe 3 pronarë dhe administratorë të ambienteve ku ata kanë organizuar aktivitetet.

17 shkurt- Presidenti Ilir Meta sulmon Kryeministrin Edi Rama për të negociuar mbi marrëveshjen e detit me Greqinë, duke deklaruar se ai s’ka autorizim për ta bërë këtë veprim. Meta i bëri akuzat gjatë takimit me aktivistë të shoqërisë civile dhe akademikë.

22 shkurt– Kuvendi ka rrëzuar me 86 vota kundër dekretin e Presidentit Meta për prokurimin publik që, sipas tij, cenon konkurrencën e lirë, favorizon kompanitë e lidhura me pushtetin.

26 shkurt- kreu i shtetit, Ilir Meta, kthen ligjin për Forcat e Armatosura në Kuvend me argumentin se ai cenon ecurinë në karrierë dhe fitimin e gradave të ushtarakëve, përmes ndërhyrjes së qeverisë dhe që pranon ushtar edhe me arsim 9-vjeçar, ndërsa fton Kuvendin të përmirësojë trajtimin financiar të ushtarakëve.

1 mars- Presidenti Ilir Meta deklaron për herë të parë se nëse Kryeministri Edi Rama do të fitojë 71 mandate pa prekur votën e qytetarëve, ai do të japë dorëheqjen nga detyra e kreut të shtetit, ndërsa akuzoi kreun e qeverisë se “nuk është në rregull nga trutë”. Ai deklaroi se “u prek vota, u pre dora e banditit, e policit të korruptuar”.

4 mars- Komisioni i Jashtëm i PE-së miratoi projektrezolutën për Shqipërinë, ku thuhet se shitblerja e votës dhe ndjekja penale janë kushte për anëtarësim në BE. Në dokumentin e miratuar theksohet se: “Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë thelbësore për konsolidimin e demokracisë dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”.

8 mars– Kuvendi ka rrëzuar me 84 vota pro, dekretin e Presidentit Ilir Meta, për zgjatjen e afatit me 13 vjet të tjera të koncesionit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, i kthyer nga Presidenti më 24 shkurt. Maxhoranca nuk mori parasysh deklaratën e kreut të shtetit se ligji ka nivelin më të lartë të antikushtetutshmërisë dhe korrupsionit legjislativ në qeverinë dhe në Kuvendin njëpartiak.

9 mars- Deputetët e dalë nga fundlista e Partisë Demokratike që dogji mandatet, Kujtim Gjuzi, Selami Jenisheri, Kostaq Papa dhe Zef Shtjefni, krijojnë koalicionin “Aleanca Ora Kombëtare” dhe dorëzojnë në KQZ listën me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

16 mars– Kuvendi miraton ligjin për Forcat e Armatosura të kthyer nga Presidenti, duke mos marrë parasysh asnjë prej argumenteve të tij. Ligji, ndër të tjera, parashikonte që për t’u bashkuar në FA kandidatë mund të jenë edhe personat që kanë përfunduar vetëm arsimin 9-vjeçar.

30 mars- Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, i njohur ndryshe si “vetingu në Polici”.

25 prill- Dy ditë para zgjedhjeve, SPAK publikon listën e kallëzimeve për krimet zgjedhore të pretenduara nga opozita, ku PD dhe Presidenca kanë arritur një “rekord” kallëzimesh. Në mars-prill 2021 janë paraqitur në SPAK 91 kallëzime për ‘Korrupsion Zgjedhor’ nga subjektet politike, policia dhe individë, pjesë edhe PS.

27 prill- Dy ditë pas zgjedhjeve Parlamentare, Presidenti thyen heshtjen dhe flet pas fitores së PS-së në procesin e 25 prillit, ku deklaron se: “Edhe pse i vetëm përballë të gjitha institucioneve të kapura, ia arrita që 25 prilli të ishte i qetë, pa skena dhune dhe pjesëmarrje masive”.

4 maj- Me 82 vota kundër, 10 pro, 6 abstenime, Kuvendi rrëzoi dekretin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, ose i njohur ndryshe si “vetingu”.

7 maj- Kuvendi i Shqipërisë miratoi ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Me 97 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim deputetët e maxhorancës dhe opozitës parlamentare mbështetën nismën e propozuar nga PS, që sipas tyre do hetojë shkeljet e rënda kushtetuese nga Meta. Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, deklaroi se: “Kurrë institucioni i kryetarit të Shtetit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale dhe shkarkimi i Metës nuk ka prapavijë politike”.

7 qershor– Mbahet seanca e fundit e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë seancë, kryetari Gramoz Ruçi mbajti edhe fjalimin e tij të fundit pasi më herët kishte lajmëruar largimin nga të gjitha funksionet politike dhe drejtuese. “Në Kuvendin e Shqipërisë kam ardhur si shërbyes publik dhe kam kontribuar me përkushtim e integritet”, u tha Ruçi kolegëve të tij.

9 qershor- Kuvendi i Shqipërisë votoi me 104 vota pro, 7 vota kundër dhe 3 vota abstenim raportin për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Shkarkimin e kreut të shtetit, Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të “çliruar Presidencën nga një pengmarrje”. Për të hyrë në fuqi ky vendim duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese. Ilir Meta është Presidenti i parë i Republikës së Shqipërisë, i cili shkarkohet nga Parlamenti për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Presidenti nga ana e tij e ka injoruar këtë vendim, duke e konsideruar si provë e Parlamentit njëpartiak.

15 qershor– Kuvendi dërgoi në Gjykatën Kushtetuese raportin për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta ku kërkon aprovimin nga institucioni final për shkarkimin e kreut të shtetit për “Shkelje të rënda të Kushtetutës”. Kushtetuesja ka caktuar 22 janarin e vitit 2022 për mbajtjen e seancës për dhënien e një vendimi. Vendimmarrja e saj do të shënojë një precedent të ri, të panjohur më parë.

6 korrik– Kuvendi u tërhoq nga vendimi për të mos lejuar gazetarët gjatë punimeve në Komisionet Parlamentare. Përpara këtij vendimi gazetarët që mbulojnë këtë institucion organizuan një protestë para godinës, që u pasua me një takim ku pasi u dëgjuan kërkesat e tyre, Kuvendi ndryshoi rregulloren.

7 korrik- Me 83 vota pro, Partia Socialiste dhe disa deputetë të opozitës së re kanë zgjedhur Armela Krasniqin si kryetaren të Autoritetit të Mediave Audiovizive, duke mos pritur opozitën në legjislaturën e re. PS nuk u tërhoq edhe pas thirrjeve të BE-së dhe OSBE-së.

10 shtator- Mblidhet për herë të parë Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit për seancën e konstituimit. Seanca drejtohet nga deputetja e PS-së, Luljeta Bozo, si më e moshuara, ndërsa në fjalimin e saj ajo bëri një ftesë për bashkim të politikës në të mirë të vendit.

10 shtator– Opozita e përfaqësuar nga PD, LSI dhe partitë e tjera të Koalicionit futet e ndarë në Kuvend pas dy vitesh bojkoti. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, vjen i pari me grupin e tij të deputetëve, për herë të parë pa Sali Berishën në krah, pasi një ditë më parë kishte vendosur përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar Demokrat pas shpalljes “non grata” nga DASH të ish-Kryeministrit. Nga ana tjetër, Berisha vjen në Kuvend i shoqëruar nga tre deputetë besnikë të tij, ndërsa para hyrjes u prit nga dhjetëra mbështetës.

10 shtator- Lindita Nikolla zgjidhet Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë për legjislaturën e 10-të me 79 vota pro. PD mori pjesë në votim duke grisur fletët e votimit, ndërsa LSI votoi. Gjatë fjalës së Nikollës si Kryeparlamentare, deputetët e PD-së protestuan duke përplasur duart në tavolinë dhe u larguan pa e mbaruar fjalën.

16 shtator- Kryeministri Edi Rama prezanton në Kuvend programin e qeverisë në mandatin e tretë. Rama deklaroi në foltoren e Parlamentit se gjatë këtij mandati, PS do angazhohet me rimëkëmbjen e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia, rritjen e pagave dhe pensioneve, zhvillimi i infrastrukturës përmes ndërtimit të rrugëve dhe aeroporteve të reja, rritjen e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit.

15 tetor– Kryeministri Edi Rama deklaroi për herë të parë se në vitin 2022 Shqipëria do të dërgojë satelitë në orbitë për vendosjen e kontrollit në territor. Kjo shkaktoi të qeshura në sallën e Kuvendit, ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha, e konsideroi si “marrëzi e një Kryeministri të shkëputur nga realiteti”.

28 tetor– Kuvendi miratoi me 123 vota pro, asnjë kundër dhe abstenim ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe hetimin e koncesioneve për inceneratorët. PS nuk mbështeti propozimin e PD-së për ngritjen e komisionit tjetër, që lidhej me Francesco Becchetin.

1 nëntor- Zhvillohet mbledhja e parë e Këshillit të Legjislacionit për ndryshimet Kushtetuese me qëllim zgjatjen e organeve të vetingut me 2.5 vite deri në fund të vitit 2024. Iniciativa e PS-së u ndërmor me arsyetimin se gjyqtarët dhe Prokurorët e pavetuar të kalojnë përmes të njëjtave organeve kontrolluese. Miratimi i kësaj nisme kërkon 93 vota, të cilat socialistët nuk i kanë, ndaj u duhet domosdoshmërisht një konsensus me Partinë Demokratike.

15 nëntor- Kryeministri Rama prezantoi në Kuvend buxhetin e vitit 2022, që shkaktoi një përplasje të fortë mes tij dhe kryedemokratit Basha. Kreu i qeverisë renditi disa nga projektet e rëndësishme që do mbështeten financiarisht, ndërsa kryedemokrati e kundërshtoi duke deklaruar se qeveria ka menduar edhe këtë vit për koncesionet dhe PPP, duke lënë qytetarët dhe shtresat në nevojë pa mbështetje.

16 nëntor– Maxhoranca dhe opozita përplasen në Kuvend për rregulloren e Kuvendit dhe etikën e përdorur nga Kryeministri ndaj deputetëve të opozitës. Po ashtu, një përplasje pati edhe mes deputetes Grida Duma dhe ministres Belinda Balluku për fjalorin e përdorur, ndërsa deputeti Agron Gjekmarkaj u përplas me deputetët e PS-së.

16 nëntor- Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, dhe deputeti i PS-së, Erion Braçe, përplaset me njëri-tjetrin pas pyetjes së demokratit se a ishte ai zëvendëskryeministri që përmendej në përgjigjet e Prokurorisë italiane në çështjen e Rezart Taçit. Pasi shkëmbyen fyerje në distancë, dy deputetë u drejtuan drejt njëri-tjetrit, ndërsa Garda ndërhyrë për të shmangur përplasjen fizike, që detyroi Kryetaren e Kuvendit të ndërpresë seancën për 10 minuta.

20 dhjetor– Në seancën e fundit plenare për këtë vit, Kuvendi me 76 vota pro dhe 13 kundër rrëzoi dekretin e Presidentit ligji për “Buxhetin 2022”. projektligjin për “Bashkëqeverisjen” dhe miratoi edhe ligjin “Fëmijët nën përkujdesjen e republikës”, për jetimët e të rënëve në krye të detyrës. Për maxhorancën, kreu i shtetit e ktheu në modë kthimin e ligjeve.

20 dhjetor- Arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për çështjen e inceneratorëve ishte arsyeja e përplasjes së fortë dhe të fundit për vitin 2021 mes Kryeministrit Rama dhe kreut të PD-së. Basha. Kryedemokrati përshëndeti SPAK dhe ofroi mbështetje duke i kërkuar të mos mjaftohet me atë që ai e quajti “bishti i aferës korruptive të 400 milionë eurove”. Nga ana tjetër, Rama u përgjigj se kjo është një çështje personale e tij dhe duhet të mbajë përgjegjësi përpara ligjit, ndërsa e mbrojti ndërtimin me PPP të inceneratorëve si një “shpëtim” për çështjen e plehrave në vend.