Një varg me e-maile mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-zv/ministrit Klodjan Rrjepaj dhe emigrantit Ilir Rrapaj, janë zbërthyer nga SPAK, duke krijuar besimin në çmontimin e skemës korruptive të koncesionit të sterilizimit.
E-mailet tregojnë se ministri i kohës, Ilir Beqaj, dyshohet të jetë përfshirë personalisht në këtë aferë. Ndërsa i gjithë biznesi i pisët është paracaktuar 4 muaj para se ministri Beqaj të hapte zyrtarisht garën në 13 shkurt 2015 dhe ftonte kompanitë.
Plot 52 ditë para se Ilir Beqaj dhe administratori i kompanisë koncesionare “Sani Service” Admir Daca, të firmosnin kontratën koncesionare, Beqaj u ka dërguar një e-mail Klodjan Rrjepaj dhe Milva Ekonomit.
E-maili i siguruar nga “Ora Neës” mban datën 11 Tetor 2015, vetëm një muaj pasi Beqaj kishte shpallur fitues firmën e mikut të tij, Ilir Rrapaj.
“…ju lutem ndiqni me përparësi përgatitjen e kontratave për PPP respektive…”- u shkruan Beqaj dy zv/ministrave.
Një E-Mail tjetër që implikon Beqajn në paracaktimin e këtij koncesioni është në datën 26 Tetor 2015, kur ende nuk ishte lidhur kontrata, pasi italiani Umbro Staçini në cilësinë e administratorit të kompanisë “Tecnosanimed” dhe “U.Jet,srl” i shkruan zv/ministrit Klodian Rrjepaj.
Ky i fundit më tej këtë e-mail ja përcjell dhe e ve në dijeni ministrin Beqaj. Por ky i fundit sërish përmes e-mailit ja përcjell përgjigjen Rrjepaj duke i pohuar se:”…pa ardhë përfshirja e Avokatit Shtetit, është shpejt për tu ulur për kontratë me italianët…”.
Në fakt edhe pse i ka marrë mendim Avokaturës së Shtetit, kjo e fundit ka kthyer një përgjigje në ministri duke sqaruar se:”…në kushtet e mësipërme dispozitat e kontratës së dhënë nga koncesionari nëpërmes shkresës më datë 13 janar 2016 nuk gjejnë zbatim në marrëveshjen e nënshkruar dhe rënë dakord midis palëve.
Në dosjen e SPAK, se përmes këtyre komunikimeve, Rrjepaj dhe Beqaj, del qartë se ishin në dijeni të fituesit të koncesionit, pikërisht të njerëzve që ata kishin takuar në Itali dhe më të cilin kishin pasur komunikime të vazhdueshme, duke dalë së bashku jashtë shtetit.
Sipas dosjes së SPAK për hetimet mbi aferën me kompaninë “SaniService”, rezulton që Rjepaj dhe Ilir Rrapaj të jenë miq, që nga koha e studimeve universitare.
Prokurorët e që po hetojnë koncesionin e sterilizimit kanë informacione të plota, që tregojnë se Rrapaj e Rjepaj përfunduan studimet në Fakultetin e Mjekësisë në 1991-1994.
Jo vetëm kaq, pasi në të njëjtat vite ka qenë student i Mjekësisë edhe shtetasi me inicialet Artan Lleshi, i cili është drejtor ne kompaninë koncesionare “Sani Service”.
Sikur të mos mjaftonin regjistrat e fakultetit, njohjen mes Rrapajt dhe Rjepajt e ka konfirmuar edhe një bashkëstudente e tyre me iniciale D.N.
Gjithashtu, në të njëjtin regjistër në “regjistrin 7”, ku ndodhet emri i shtetasit Ilir Rrapaj, vërehet emri i shtetasi Artan Lleshi, i cili ka përfunduar studimet në vitin akademik 1994-1995.
Shtetasi Artan Lleshi rezulton të jetë Drejtor në kompaninë Koncesionare “Sani Service” që nga krijimi i saj. Gjithashtu, ai është administrator i kompanisë “Gamaservice”, kompani e cila ka transaksione në shitjet e kryera nga Koncesionari Sani Service për periudhën Prill 2020-dhjetor 2021 në vlerën 116 966 534 lekë (referuar informacionit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve).
Nga përmbajtja e këtyre akteve rezulton se Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj kanë ndjekur bashkë studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitet 1991-1994 (1995-1996 të dy nuk kanë frekuentuar studimet). Gjithashtu, këta të fundit kanë përfunduar studimet me shtetasin Lleshin.
Gjithashtu në dosjen hetimore thuhet se Ilir Rapaj përfaqësuesi i subjektit “Investital LLC” dhe italiani Umbro Staçini përfaqësues i subjektit “Tecnosanimed SRL” dhe “U.Jet SRL”, që krijuan kompaninë koncesionare “Saniservice” kanë njohje personale me të dyshuarin Klodian Rjepaj, zv. ministër i Shëndetësisë dhe z.Ilir Beqaj ministër i Shëndetësisë në kohën e përgatitjes dhe përfundimit të procedurës së koncesionit.
Njohja fillon prej muajit nëntor 2013, përpara procedurës së koncesionit. Kështu Ilir Rrapaj, Ilir Beqaj, Klodian Rjepaj kanë hyrë në Shqipëri në Pikën e Kalimit Kufitar në Rinas me linjën Ajrore Alitalia Rome në datën 15 qershor 2014.
Në dokumentacionin për kapacitetin ligjor të “Investital LLC” rezulton se ky subjekt është regjistruar në datën 17 korrik 2014 në Prishtinë me kapital 1 mijë euro nga Ilir Rrapaj, vetëm një muaj pas udhëtimit së bashku me avion me shtetasit Ilir Beqaj dhe Klodian Rjepaj.
Ilir Rrapaj krijon kompaninë “Investital LLC” pjesë e kompanive që hyri në garë për koncesionin me 40 për qind dhe që më pas u bë pronarja e koncesionit.
Kjo kompani është krijuar vetëm një muaj përpara se të dilte urdhri i ministrit të Shëndetësisë me datë 18 gusht 2014 për ngritjen e komisionit të dhënies të Vlerësimit të Ofertave të dhënies së koncesionit. Kompania kishte vetëm një të punësuar, krijuesin e saj Ilir Rrapaj. /Ora News