Tërhiqet Evi Kokalari: Distancohem nga politika në Shqipëri, i kthehem jetës time në SHBA

Aktivistja Evi Kokalari, që erdhi posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mbështetur ish-kryeministrin Sali Berisha, ka vendosur që të tërhiqet nga jeta politike në Shqipëri.

Në një postim në Facebook, Kokalari shkruan: 

Kam vendosur të distancohem pak nga politika në Shqipëri. Megjithëse me mëndje dhe zemër jam aty ku vazhdon lufta për një opozitë të fortë, dua t’i kthehem jetës time në Amerikë që kam që në shtator që e kam lënë komplet mbas dore. Do vazhdoj të jem në komunikim të vazhdueshëm me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, gjithsesi jo më aq aktive sa më parë.

Me gjithë sulmet e katër muajve të fundit, një gjë është e padiskutueshme – miqësitë që kam krijuar në Tiranë vërtet më kanë ngrohur zemrën, dhe jo vetëm, mbështetjen që kam marrë nga njerëzit që kam takuar çdo ditë në rrugët e Tiranës dhe gjatë foltoreve, vërtet i kanë dhënë kuptim sakrificës së muajve të fundit.

Bashkatdhetarëve të mi në Diasporë; dua t’iu them që populli ynë është i varfër, kështu që angazhohuni seriozisht se kanë vërtet nevojë për ndihmë. Lërini mërite dhe urrejtjen e së kaluarës dhe mbështesni ata që po luftojnë për ditë për të shpëtuar pluralizmin.

Ndërkohë do vazhdoj të komunikoj opinionet e mia nëpërmjet medias sociale. Duke ju falënderuar të gjithëve për mbështetjen tuaj, përzemërsisht, Evi.

Më pas, Kokalari ka reaguar me një status të dytë, ku shkruan se nuk e ka braktisur mbështetjen për Berishën dhe se e ardhmja do ketë surpriza plot.

“Mos e keqkuptoni largimin tim si braktisje të mbështetjes time ndaj Sali Berishas. Ajo mbështetje ka qënë e pakushtëzuar që në orët e para në 19 Maj, dhe e tillë do të mbetet deri në fund.

Atyre që ju gënjen mëndja se jam dorëzuar, dua t’ju them që nuk më keni njohur mirë këto muajt’ e fundit. Më vjen keq t’ju zhgënjej, por e ardhmja do ketë surpriza plot”, shkruan Kokalari.