Konfiskimi i ndërtesave me VKM/ “Dy vite për një akt nënligjor”, Bardhi zë ngushtë përfaqësuesen e qeverisë, justifikohet Kokona: S’gjetëm kohë, ishim në pandemi

Në seancën e mbajtur sot në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me VKM për prishjen dhe konfiskimin e pronave në tejkalim të lejes së ndërtimit, deputeti Gazment Bardhi ka vënë në vështirësi përfaqësuesen e qeverisë, Elira Kokona.

Ai e ka pyetur se në rast se një VKM e tillë ishte kaq e rëndësishme për rregullimin që sjell, atëherë pse Këshilli i Ministrave ka pritur plot dy vite për të nxjerrë aktin nënligjor, referuar faktit që ligji përkatës është miratuar që në tetor të vitit 2020.

Kokona ka deklaruar se një gjë e tillë ka ardhur si pasojë e pandemisë dhe krizës energjetike që kaploi vendin gjatë kësaj kohe. Pra, sipas saj në dy vite Këshilli i Ministrave nuk ka gjetur hapësirën e duhur për të miratuar një VKM që konsiderohet shumë e rëndësishme dhe që mbrohet fuqishëm nga qeveria.

Pjesë nga seanca:

Bardhi: Ligji është miratuar në tetor të vitit 2020, pse ka pritur 2 vite Këshilli i Ministrave për të nxjerrë aktin nënligjor, kur interesi publik kërkonte ekzaktësisht nxjerrjen e kësaj VKM? Pse i është dashur 2 vite për të nxjerrë një akt që mbron fuqishëm interesin publik?

Kokona: Këshilli i Ministrave merr parashikimet dhe hartimet nga ministrat propozues. Në zbatim të akteve ligjore. Parashikohen në kalendar sesi procedohet, dhe viti 2021 ka qenë mjaftueshëm me angazhime të Këshillit të Ministrave, duke nisur nga pandemia, kriza energjetike, duke bërë Këshillin e Ministrave të ketë një seri vonesash. Kjo as e cënon vullnetin e Këshillit të Ministrave dhe as prek interesin publik, sepse në rastin konkret po flasim për leje që kanë dalë dhe janë zbatuar pas 2021. Në aspektin e përzgjedhjes, Këshilli i Ministrave ka zgjedhur momentin e duhur.