Gjyqi për vulën e PD-së, caktohet trupa me tre gjyqtarë

Në Gjykatën e Apelit është hedhur shorti për shqyrtimin e çështjes së vulës së Partisë Demokratike. Shorti caktoi gjyqtaren Elona Mihali për të shqyrtuar këtë çështje, ndërsa anëtarë të trupës gjykuese do të jenë Irida Kacerja e Astrit Kalaja.

Në këtë padi, ankimues është pala e Alibeajt, që i kanë kërkuar Gjykatës së Apelit që të hedhë poshtë vendimin e marrë nga gjyqtari i shkallës së parë, Agron Zhukri, i cili më 25 mars 2022 njohu statutin e dalë nga Kuvendi i Berishës më 11 dhjetor.

Kjo është çështja kryesore në gjykatë dhe, nëse Gjykata pranon padinë e Alibeajt, atëherë përfundimisht vula do i mbetet atij. Por nëse Gjykata e Apelit e rrëzon padinë e Alibeajt, në këtë rast për Berishën do të ishte fitore dhe do mund të regjistrohej ai si kryetar i Partisë Demokratike.

Berisha e ka akuzuar kryeministrin Rama se qëndron pas mbajtjes peng të vulës së PD-s, duke ndikuar te vendimi zvarrtja e vendimit të gjykatës.

Kryekomisioneri Celibashi Ilirjan paralajmëroi dy ditë më parë se nëse nuk zgjidhet ngërçi brenda PD-së, rrezikon që partia më e madhe opozitare të mos futet në zgjedhjet vendore të 14 majit. Celibashi kërkoi që konflikti të zgjidhet para zgjedhjeve, ndërsa theksoi se duhet të angazhohet të gjithë aktorët politikë e institucionalë, pasi këtë ngërç nuk mund ta zgjidhë KQZ.

Deri më tani, në gjykatën e Tiranës rezulton ende kryetar Lulzim Basha që dha dorëheqjen, ndërsa vendimi që pritet të ndajë përfundimisht se kush e ka drejtimin e partisë mes kryetarit të komanduar Alibeaj dhe Berishës, është ai i Apelit që deri më tani është shtyrë disa herë. Për të shmangur ngërçet e mundshme, gjykata duhet të vendosë të paktën deri më 6 mars kur është edhe afati i fundit për regjistrimin zyrtar të partive politike në KQZ për garën elektorale të 14 majit.