Pas katër vitesh sorollatjesh sa në një gjykatë në një tjetër, biznesmeni nga Kosova, Fadil Syla do të mësoj vendimin e ri që pritet të nxjerrë Gjykata e Apelit në Durrës, e cila e ka ftuar të paraqitet më datë 2 shkurt.
Lënda gjyqësore në të cilën është i përfshirë Syla, ka të bëjë me një vendim ku atij i ndalohej hyrja në territorin e shtetit shqiptar, me arsyetimin se ai paraqet rrezik për sigurinë publike në Shqipëri.
Procesi gjyqësor ka nisur nga viti 2018, kur edhe i është ndaluar Fadil Sylës që të futet në Shqipëri.
Avokati i Sylës, Perlat Koçillari ka thënë për Shqip.com, se klienti është në proces gjyqësor që nga viti 2018 dhe se ende nuk ka vendim sa i përket ndalesës që autoritetet shqiptare ia kanë bërë.
“Seancat janë duke u zhvilluar nga viti 2018. Kjo zvarritje ka ardhur edhe për shkak se gjyqtarët shkonin për Veting. Shkalla e parë ka vendosur një herë që t’ia refuzojë ankesën klientit tim, për ndalimin e lejes së qëndrimit. Ai vendim është i padrejtë sepse nuk ka asnjë provë, ku mund të cenohet siguria publike në Shqipëri”, ka thënë Koçillari.
Sipas tij, leja e qëndrimit i ndalohet të gjithë atyre, që e cenojnë sigurinë në vend, e që klienti i tij posedon të gjitha dokumentet që nuk ka asnjë ndjekje penale, as në Kosovë e as që ka pasur më herët në Shqipëri.
“Klienti im i ka të gjitha dokumentet në rregull. Ka dokumente që ushtron veprimtarinë e hotelerisë dhe turizmit, paguan taksa dhe tatime. Nuk ka precedent penal në Shqipëri, nuk ka në Kosovë”, thekson tutje Koçillari.
Në vitin 2015, Fadil Syla nga Kosova, e kishte blerë hotelin “Princ” në Golem nga Banka Kombëtare Tregtare në Shqipëri. Por hoteli ishte marrë sërish nga banka me arsyetimin se ndaj saj nuk ishin shlyer obligimet nga pronarët e vjetër.
Por Syla ka thënë se vetëm një javë pasi që e kishte paguar hotelin në vlerën e mbi 500 mijë eurove, kishin filluar problemet e para.
“Kanë ardhur disa njerëz të fuqishëm, që tentonin të ngjallnin frikë dhe pasiguri tek unë në lidhje me investimin që e kisha bërë. Ata pretendonin se nga 17 ari e gjysmë që i kisha blerë, 5 ari u takonin atyre. Ma paraqitën një dokument që e kishin nxjerrë diku, e që unë sot asaj dite nuk i besoj”, shprehet Syla për Shqip.com.
Ai tregon se më 15 korrik të vitit 2018, vetëm tri vjet pasi që e kishte blerë hotelin, shteti shqiptar kishte nxjerr vendim që t’i ndalohet hyrja në Shqipëri, me arsyet se Syla paraqiste rrezik për sigurinë dhe rendin në vend.
Mirëpo, seanca e paraparë për të enjtën e javës që vjen mund edhe të mos mbahet, pasi Syla nuk do të mund të paraqitet para gjykatësve shkaku i ndalesës për të hyrë në Shqipëri.
Syla pret që drejtësia të vendosë në favor të tij pasi siç pretendon ai, nga momenti që e ka blerë hotelin, problemet nuk janë ndaluar në adresë të tij. /Shqip.com