Qeveria do të finalizojë sot aktin e fundit të dramës në “Prestige Resort”. IKMT ka njoftuar se ditën e sotme do të bëhet shpërthim i kontrolluar i Prestige, ndonëse resorti është me leje. Mësohet se forcat xheniere kanë hapur 730 furnela ku do të montohen 70 kg lëndë shpërthyese.
Me një urgjencë të madhe, Dallëndyshe Biçi e IKMT-së nuk pret që nesër të shprehej Gjykata Administrative e Durrësit, pas kërkesës së avokatëve të Prestige Resort për të pezulluar shembjen, por ka dhënë urdhër të prerë që në orën 15:00 të hidhet në erë hoteli.
Një aksion i nisur paligjshmërisht që pritet të përfundojë po paligjshmërisht për të shkatërruar një resort me leje nga vetë kryeministri Edi Rama dhe institucionet e këtij vendi me një ndikim vetëm pozitiv në turizmin dhe ekonominë e vendit.
Përveç kësaj, nxitimi për të kryer një akt të paligjshëm ka bërë që të mos ketë asnjë masë sigurie as për vetë punonjësit që po përgatisin lëndën eksplozive që vendosen në rrezik për jetën, duke punuar në ambient të jashtëm, me praninë e dhjetërave njerëzve dhe nën ndikimin e faktorëve natyrorë e fizikë.
NJOFTIMI I IKMT
IKMT prish me shpërthim të kontrolluar objektin 7-katësh në vijën bregdetare të Kavajës
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me forcat e Policisë së Shtetit dhe forcat xheniere, ka planifikuar të prishë sot me shpërthim të kontrolluar një objekt 7 katësh në vijën bregdetare të Kavajës. Për këtë operacion, në trupin e objektit forcat xheniere kanë hapur 730 furnela (vrima) ku do të montohen 70 kilogramë lëndë shpërthyese si dhe 4 mijë metër linear fitil. Inspektorët e IKMT dhe policisë së Shtetit kanë marrë të gjitha masat për perimetrin e sigurisë dhe lajmërimin e banorëve të zonës. Shpërthimi i kontrolluar do të ekzekutohet në orën 15:00.