POLITIKE Tahiri refuzon të zëvendësojë kupolën nepotike në Rinas, aeroporti drejt listës së zezë të trafikimit të qenieve njerëzore drejt BE dhe SHBA

Aeroporti i Rinasit, në një hark kohor relativisht të shkurtër, nën kontrollin dhe komandën e një klani nepotik dhe krahinor, është përfshirë në listën e zezë, për funksionin e trafikut të qenieve njerëzore drejt BE dhe SHBA, duke alarmuar, si asnjëherë më parë, shërbimet partnere. Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, nga një faktor dhe promotor që gjeneron konflikt dhe nervozizëm mes qeverisë dhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste, befas është kthyer në problem shqetësues edhe për shërbimet partnere si dhe në kosto shtesë për qeverinë shqiptare në raport me ndërkombëtarët. Çfarë ka ndodhur? Dy raportet sekrete, njëri i ICITAP-it (misionit të asistencës së SHBA për Policinë e Shtetit) dhe tjetri i shërbimeve partnere, kanë dhënë alarmin për shpartallimin e sistemit të sigurisë në Aeroportin e Rinasit dhe kthimin e tij në vendkalim kryesor për klandestinët, personat e rrezikshëm, elementët e lidhur me terrorizimin, njerëz me dokumente të falsifikuara dhe viza të rreme. Shqetësimi është shprehur edhe nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Eric Holder, gjatë një takimi me kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Gjithçka po ndodh nën hundën e një klani, tarafi dhe rrjeti të ri drejtuesish, të bashkuar nga prejardhja krahinore dhe lidhjet fisnore nga Tepelena. Të dy raportet janë diktuar gjatë një mbledhje urgjente dhe të tensionuar në Ministrinë e Brendshme. Si përgjegjës për situatën në fjalë është identifikuar ekipi i ri drejtues, që përbëhet nga personazhe të lidhur me ministrin Tahiri dhe me prejardhje nga Tepelena. Sipas burimeve, ministrit i është kërkuar ndryshimi i kupolës së Komisariatit të Rinasit, kërkesë kjo që është refuzuar nga Tahiri. Jo vetëm drejtuesit, por i gjithë stafi i Komisariatit të Rinasit dominohet nga tepelenas, siç dominohet kupola e Ministrisë së Brendshme dhe e gjithë policia. Tiparet më të theksuara të pushtetit të Sali Berishës ishin nepotizmi, krahinarizmi, klientelizmi dhe arbitrariteti. Ministri i Brendshme është sot dikasteri i vetëm dhe ishulli i izoluar që i ka trashëguar me fanatizëm këto tipare. Zëvendësimi i tropojanëve me tepelenasit në polici, është një fakt tashmë i denoncuar edhe nga vetë deputetët e Partisë Socialiste. Grupi i famshëm “çiftelia” sot është zëvendësuar me grupin “Tepelena”. Më konkretisht, Ermal Milori, i emëruar shef komisariati në Rinas, është nga Tepelena. Po ashtu, Gramoz Lala, drejtor i Kufirit, është nga Tepelena. Alban Dautaj, shefi i Rendit në Rinas, aktualisht i pezulluar, është nga Tepelena.
Grupi “Tepelena” në Ministrinë e Brendshme 
Nuk ka dyshim se, në Policinë e Shtetit ka elementë profesionalë, të guximshëm dhe të devotshëm nga të gjitha rrethet dhe zonat e Shqipërisë, si nga Tepelena, Tropoja, Shkodra, Dibra etj. Por, nëse deri në 23 Qershor të vitit 2013, Policia e Shtetit dominohej nga “grupi” Tropoja, sot policia dhe Ministria e Brendshme sundohen nga grupi krahinor, “Tepelena”. Ministri i Brendshëm, drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë, shefi i kabinetit të ministrit, sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme etj., janë të gjithë nga Tepelena.  Adriatik Doçi